Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 94 vota ligjin për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, ka patur vetëm dy vota votë abstenim, e cila ka qenë e deputetit Nasip Naço dhe Damian Gjiknurit.
Maxhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat për të miratuar disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.
Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.
Gazetari Nebil Çika thotë se miratimi i ligjit të dosjeve është arritja më e madhe në 30 vjet lidhur me këtë çështje, por ka ende për të bërë.
Në një intervistë për Euronews, Çika tha se mungesa e Berishës në votimin e djeshëm tregon se seri tani ka qenë mungesë vullneti politik për ta votuar më herët. Sipas tij, ky ligj politikisht ndihmon të djathtën, por nga ana tjetër është më shumë problem për PD se sa për PS si trashëgimtare politike e Partisë së Punës.
Për gazetarin PD është e mbushur me spiunë dhe bashkëpunëtorë të regjimit mes tyre edhe deputeti Tritan Shehu.
“Një nga njerëzit që ka udhëhequr rininë komuniste në prishjen e kishave dhe xhamive ka qenë Tritan Shehu, dihet nga të gjithë e ke në gazeta dhe revista.
Letrën që ja dërguan shokut Enver, që këta janë reaksionarë duhen vrarë, e ka firmosur ky. Ishte sekretari i rinisë i gjimnazit, kjo mjafton që ky të mos jetë përfaqësues i besimtarëve dhe i të përndjekurve politikë”, tha Çika.