‘Një ballist foltoreje’, Rama sulmon Agron Shehajn: Ka ndërtuar pa leje

21 October 2022, 12:30Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
‘Një ballist foltoreje’, Rama sulmon Agron Shehajn: Ka
Në foto: Edi Rama dhe Agron Shehaj

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Elbasan me fermerët, ka reaguar lidhur me deklaratën e bërë një ditë më parë nga deputeti Agron Shehaj në Kuvend, kur tha se policia ka mbyllur biznesin e tij dhe ka sekuestruar ambientet ku operonte, pa asnjë leje apo urdhër nga prokuroria.

Rama ka sulmuar deputetin e PD, duke e quajtur “një ballist foltoreje”, ndërsa tha se policia ka shkuar në biznesin e tij, pasi ky i fundit është ndërtim pa leje.

“Në vazhdën e operacionit për të bllokuar dhe konfiskuar metrat katrorë të ndërtuara pa leje nga ata në thonjëza oligarkët që na i faturojnë ne por në fakt janë këta, ka bllokuar godinën për të cilën pronarja thoshte e kam hotel, dhe brenda na gjendet një biznes të një deputeti, një ballist foltoreje, në një ndërtim pa leje.

Dakord ka hyrë atje, këta se kanë problem të shkelin ligje, sidomos me ndërtime kanë një raport patologjik se i duan pa leje, po si del në parlament dhe kap foltoren dhe fillon ‘policia, Rama, duan të më mbyllin gojën’.

Po si t’i mbyllim gojën? Bën dhe viktimën e fjalës së lirë. Dhe pavarësisht nga fakti që ne po japim një goditje përfundimtare, çojnë në Gjykatën kushtetuese ankesë. Po ç’punë ka një parti të ankohet që shteti kap disa biznesmenë në shkelje të ligjit? Shumë e thjeshtë sepse janë bashkë”, tha Rama.

Agron Shehaj ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama për bllokimin e biznesit të tij me 200 punonjës. Shehaj tha se pretendimet e Ramës se biznesi i tij është bllokuar pasi ndodhet në një ndërtim me shkelje të lejes së ndërtimit janë pretekste.

Sipas Shehajt, kompania e tij ka kontratë të rregullt qeraje dhe se arsyeja e vërtetë e bllokimit ështeë hakmarrja politike për shkak të denoncimeve të tij si deputet i opozitës.

“Edi Rama pranoi dje se shteti i tij policor ka bllokuar në mënyrë të paligjshme një biznes ku janë të punësuar 200 ekspertë IT-je, të cilët prej tri javësh mbahen forcërisht jashtë zyrave. Por paligjshmëria dëshmohet edhe më e qartë në pretekstet qesharake me të cilat justifikohet kryeministri. Ajo se ndërtesa është pa leje.

Rama gënjen.

E vërteta është se kompania ime ka bërë një kontratë qeraje para noterit në përputhje të plotë me ligjin për një objekt me leje. Por nëse ndërtesa ka shkelur lejen, e kujt është përgjegjësia? Është qeveria dhe agjencitë nën varësinë e Edi Ramës ato të cilat kanë detyrimin ligjor për të mos lejuar ndertimet pa leje dhe jo bizneset private, të cilat bëjnë kontrata të rregullta qeraje.

Ky është një pretekst banal.

Arsyeja e vërtetë e bllokimit është hakmarrja e verbër politike e Edi Ramës ndaj denoncimeve të mia për aferat e tij të rënda, që nga firma që bëri Xhaçkën investitore strategjike, resortet e kushërinjve të Gjiknurit në Butrint.
Dil dhe shpjegohu shqiptarëve, kur bëre ministren investitore dhe i dhe plazhin në Dhërmi, ishe apo jo në dijeni për kunatën e ministres Xhaçka të maskuar si investitore amerikane?”, tha Shehaj.


Video