“Gengu i gangove", deputetja tregon takimin e Nanos me politikanin holandez: E la të priste në holl, në zyrë dëgjoheshin të qeshur

16 September 2022, 17:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Gengu i gangove", deputetja tregon takimin e Nanos me politikanin
Fatos Nano

Në 70-vjetorin e lindjes së ish-kryesocialistit Fatos Nano, deputetja e PD-së Flutura Açka ka ndarë një histori ku flet për takimin e tij me një zyrtar holandez në mes viteve 2003-2005 në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, Açka shkruan se Nano e la të priste në paradhomën e zyrës për të përfunduar bisedat me një tufë burrash që qeshnin aq sa dëgjoheshin deri jashtë, dhe më pas kur e futi në zyrë nuk lëvizi nga vendi për ta pritur.

Deputetja demokrate shton më tej se nëse nuk do ishte kjo klasë politike, sot Shqipëria do të ishte në Europë dhe jo duke aplikuar për azil rrugëve të botës.

Postimi i plotë:

Fatos Nano dhe gengu i gangove

Aty mes viteve 2003-2005, mes europianëve të tjerë që vinin në Shqipëri, ishte edhe zoti Atzo Nicolai, një politikan holandez që atë kohë ishte Sekretar Shteti për Çështjet Europiane i Mbretërisë së Holandës.

Në një intervistë dhënë një radioje kombëtare holandeze, pasi përmbylli detyrën e tij politike, ai tregon për një prej vizitave më të shëmtuara të jetës së tij politike, atë të takimit me Fatos Nanon e Shqipërisë.

Funksionari i lartë holandez u la të priste në paradhomën e kryeministrit tonë një kohë shumë të gjatë. Nga aty ku ishte ulur, dëgjonte të qeshura që vinin nga zyra e Fatos Nanos. Një hop të gjatë më vonë dera u hap dhe doli një tufë burrash çakërqejf nga gazmimi që kishin marrë nga takimi me liderin shqiptar.

Më pas një nëpunës e shoqëroi Sekretarin Holandez të Shtetit brenda në zyrën e kryeministrit shqiptar, i cili, i lodhur mbase nga gjithë çakërrqejfja e asaj dite vizitash, nuk lëvizi fare nga vendi, por ia zgjati dorën miku të huaj ashtu ulur siç qe.

Çfarë ndodhi më pas, nuk ka fare rëndësi. Fundja ky ishte, dhe është ende, shteti i gangove që kanë kaluar këtej pari trojeve tona.

Po të mos ishte ky geng gangosh që kanë uzurpuar politikën shqiptare, sot do të ishim në Europë, jo duke aplikuar për azil rrugëve të botës, jo duke punuar në të zezë mejhaneve të Europës e as duke rrezikuar jetën dallgëge të La Manshit.

Në kohën e Fatos Nanos, korrupsioni ishte shtrirë, ai e uli në poltron, këta sot e ngritën në këmbë dhe i dhanë dekoratën “Nderi i Kombit”.


Video