Kush i mban mend grushtat e Ilir Metës në katin e parë të ish-selisë së Partisë Demokratike këtu e 1 vit më parë, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, duhet të jetë befasuar dje kur pa kryebashkiakun Erion Veliaj të përuronte zyrat e reja të Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile.
Ishin po të njëjtat hapësira, në katin e parë të së njëjtës godinë ku Ilir Meta u grushtua me policët e bashkisë, që tani ishin shndërruar në qendër për koordinimin e situatave të emergjencës, ndryshe nga sa u tha atëherë se ato zyra i përkisnin Frymës së Re Demokratike të Sali Shehut.
Bashkia e Tiranës kishte përcaktuar të vendoste aty një nga agjencitë më të rëndësishme të saj, atë për koordinimin e emergjencave civile, me financim të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim.
Gjatë inaugurimit, Veliaj tha: “Sherri i famshëm me policët e bashkisë dhe punëtorët, i para një viti, ndodhi këtu, jo në një zyrë partie. Dua ta kaloj me humor atë incident, pasi tani e patë se këto nuk ishin zyra partie, por zyra e emergjencave civile”.