Pas gati tetë orësh mbledhje me grupin parlamentar të PD të mbushur me debate, ish-kryeministri Sali Berisha tha se kishte pasur propozime konstruktive.
Sipas tij, i vetmi që bënte kontrast me qëndrimet e deputetëve ishte Enkelejd Alibeaj, që sipas ish-kryeministrit duke besuar se është kryetar i PD u përpoq në mënyra vulgare të manipulojë edhe grupin, por dështoi në çdo përpjekje.
“…Diskutime, sugjerime dhe analizim të të gjitha proceseve të ndodhura dhe përpjekjet e domosdoshme për konsolidimin e PD. Predominoi preokupimi i deputetëve për një proces gjithëpërfshirës, transparent. Mund t’ju them që kontrastonte me qëndrimet e të gjithë deputetëve, i vëtëshpalluri kryetar i PD (Alibeaj). Më shumë i vetëshpallur, se mund të të propozojë dikush, por kur ke mend në kokë e kupton që qesharak nuk mund të bëhesh. Duke besuar se është kryetar PD u përpoq në mënyra vulgare të manipulojë edhe grupin, por dështoi në çdo përpjekje”.
Berisha tha se e kishte njoftuar Alibeajn se nuk e gëzon më besimin e Komisionit të Rithemelimit për të qenë më kryetar grupit parlamentar.
“Pati propozime konstruktive, prej të cilave që nesër do të fillojë bashkëpunimi, mbikëqyrja, verifikimi. Pati ide mjaft racionale. Mund t’ju them se pas kaq orësh diskutime u pasurua shumë mendimi i PD për situatën e dhënë dhe natyrisht siç iu informova për shkak të qëndrimit tij, jo të fjalëve, ndaj PD, të padisë me urdhër të Edi Ramës, unë e njoftova se pushon së paturi besimin e Komisionit të Rithemelimit për të qenë në kryetar i grupit Parlamentar. Kjo e mërziti dhe më shumë, por realitet janë jo gjithnjë të ëmbla. Ishte një mbledhë shumë e mirë, deputetët me një përgjegjësi absolute u përpoqën të japin çdo kontribut dhe hodhën poshtë çdo përpjekje për manipulim”.
Sipas Berishës Alibeajn “S’e lë Rama me u tërheq. Nuk e kontrollon veten ai. Ai është në mision dhe do ta ndjekë fati i Bashës, unë nuk ia uroj, por problemi është se bën Bashën biss. Por harron një gjë që e vë veten në një pozitë shumë të papërshtatshme.”
Ndër të tjera, Berisha tha se është e pamundur që të shtyhet Kuvendi Kombëtar i parashikuar që të mbahet më 30 Prill.
“Kuvendi është i pamundur që të shtyhet sepse ka një konjekturë. Është një rrethanë kombëtare ndërkombëtare dhe nuk mund të shtyhet”, tha Berisha, ndërsa shtoi se, “deputetët e PD do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Këta sa janë përfshi edhe Lulzim Bashën dhe Enkelejdin do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Është në statut”.