Ministrja e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka shpjeguar se si do të funksionojë pagesa e energjisë elektrike për atë pjesë të konsumatorëve që harxhojnë sasi të mëdha.
Balluku tha se ministria po kryen një studim që do të përcaktojë se cila është fasha e konsumit të energjisë për një familjeje me 4 apo 5 anëtarë, që të jetojë normalisht. Mbi atë fashë, çmimi i energjisë do të jetë pa subvencionin e qeverisë. Balluku nënvizoi se çmimi i ri nuk do të prekë bizneset e vogla.
“Kryeministri nuk e ka thënë tamam “të pasur dhe të varfër”, nuk i ndajmë dot kështu dhe nuk kemi ndonjë synim. Kryeministri u referohet përdoruesve me sasi më të mëdha për kilovat/orë. Ne jemi në përfundim të një analize të thellë që tregon se sa fashë, kilovat, i nevojitet një familjeje për të pasur një jetesë normale. Elektroshtëpiake, ngrohje mesatare. Flasim për fashën familjare, jo biznesin e vogël.
Për atë pjesë do të faturohet me çmim normal të tregut dhe jo me subvencione nga qeveria. Rreth 700 kë/orë konsiderohet një konsum normal, në ndërkohë, që mbi këtë fashë do të paguhet me çmim më të lartë. Nuk ka nevojë të ndriçohen kopshtet e shtëpive, që të ketë konsum të panevojshëm, por mesa duket kjo është diçka personale”, deklaroi Balluku.