Çfarë është një "podcast" dhe përpjekja (e dështuar) e politikanëve për të thënë se po na dëgjojnë

3 April 2023, 12:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çfarë është një "podcast" dhe

Podkastet janë një format shumë i njohur sot, janë një mjet për të fituar ndjekës në rrjetet sociale, për të zgjeruar strategjinë e marketingut si dhe për të qenë gjithnjë në sytë e audiencës.

Podkastet janë një seri përmbajtjesh të regjistruara audio që transmetohen në internet. Këto mund të regjistrohen në formate të ndryshme, si intervista ose biseda për një temë specifike.

Fjala podcast është produkt i bashkimit të fjalëve Pod (Personal on demand) dhe broadcast (transmetim).

Televizioni është ende një nga platformat më të fuqishme të komunikimit, por në dekadat e fundit fenomene si rrjete sociale dhe së fundmi podkastet kanë fituar më shumë terren. Vetë Obama ka qenë ndër politikanët e parë që iu shtuan modës së podcasteve.  

Këto dialogje apo monologje informale dhe të disponueshëm sipas kërkesës përmes telefonit kanë lulëzuar mes politikanëve amerikanë prej disa kohësh. Bill Clinton dhe podcasti i tij “Why am I telling you this?”, Michelle Obama me “The Michelle Obama podcast” dhe Hillary Clinton me “You and me both” janë disa shembuj.

Ditët e sotme realizimi i një podcasti është kthyer në modë, në SHBA për shembull  kanë pjesa më e madhe e kongresmenëve dhe siç ndodh shpesh, kjo tendencë e Shteteve të Bashkuara ka ardhur dhe në Europë dhe Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama, njoftoi nisjen e podcastit të tij “Flasim” dy ditë më parë.

Është një tendencë që nuk do të ndalet, mendojnë disa specialistë të komunikimit.

Sipas një studimit të Universitetit të Oksfordit 62% e dëgjuesve janë të moshës 18-24 vjeç, pikërisht një segment moshe që zakonisht nuk e ndjek nga afër aktualitetin politik.

Ajo që ndodh shpesh në këto formate është se, sheh se si shkëmbehen rolet dhe politikanët bëhen gazetarë. Një element që specialistë të komunikimit si Gulliem Suau pranon se vë në rrezik saktësinë e informacionit: "Kur një politikan mban këtë rol, ai e bën këtë pa ndjekur kriteret gazetareske". Ka të tjerë si Oriol Llop që i shohin me sy pozitiv: "Ata nuk ia imponojnë askujt. Është më shumë një bashkëbisedim i mendimeve të ndryshme që i mundësojnë dëgjuesit, në mënyrën e tij, të pasurohet dhe të ketë një mendim më të qartë”.

Sipas një analize të “The New York Times”, podcastet plotësojnë etjen në dukje të pangopur të ndjekësve për analiza politike nga “yje të gatshëm politikë” që kanë interesat e tyre. Dhe duke e parë nga sytë e politikanëve, qëllimi është i qartë: Ata mund të anashkalojnë median tradicionale dhe t'i transmetojnë idetë e tyre drejt e në veshët e zgjedhësve.

Dhe ajo që është e paçmueshme për ta është se përreth tyre nuk ka gazetarë të vërtetë për të bërë ato pyetjet “e bezdisshme”.  Në intervistat televizive ose në konferencat e shtypit, gazetarët sfidojnë narrativën e politikanit, madje edhe në rrjete sociale dikush mund t’i përgjigjet, ndërsa podkasti është një platformë e mbyllur hermetikisht që i bën të gjithë të duken të drejtë dhe të mirë.

Sipas New York Times figurat politike me podkaste që ia vlen të dëgjohen janë ata që e kanë lënë detyrën. Këta janë njerëz që kanë informacion të brendshëm se si funksionon një qeveri, por që tani janë të lirë të heqin maskën, të flasin hapur. Ata gjithashtu janë më të nxitur për të prodhuar diçka vërtet interesante dhe jo diçka që thjesht i favorizon politikisht.

Për shembull podkasti i fushatës së Hillary Clinton, "With Her", u bë më bindës dhe më i ndjekur pas humbjes së saj në zgjedhje.

Nëse politikanët vërtet duan të shkëlqejnë në podcasting, ndoshta duhet të lënë punën e përditshme.   

Këto emisione janë një përpjekje për të thënë se po na dëgjojnë, por kjo nuk do të thotë që ne duhet t'i dëgjojmë ata./VoxNews


Video