Sot pritet të ekzekutohet vendimi për burgosjen e deputetit të PD-së Ervin Salianjit i cili dje me vendim të formës së prerë u dënua me 1 vit burg. Trupa gjykuese e gjykatës së Apelit e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.
Vetë Salianji e konsideroi vendimin si politik e njëkohësisht dekoratë në karrierën e tij. Vendimin që i heq jo vetëm lirinë, por edhe mandatin e deputetit, Salianji tha se do të kryente dënimin dhe se nuk do ta ndalonte së bëri opozitë as në qeli.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumta tek opozita. Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme mblodhi kryesinë për vijimin e aksionit opozitar pas dënimit të Salianjit.
Kryedemokrati Sali Berisha kërkoi nisjen e një vale protestash në të gjithë vendin, ku kërkoi mobilizimin e anëtarësisë në çdo qytet e shesh të vendit.
Mbledhja me dyer të mbyllura qartësoi idetë e aksionit opozitar. Strukturat do të dalin në terren në ditët në vijim për të organizuar bazën e partisë për një protestë kombëtare në datën 6 tetor.