Dy qëndrimet e Ervin Bushatit, kërkon kandidat tjetër për Bashkinë e Tiranës

11 October 2022, 21:32Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dy qëndrimet e Ervin Bushatit, kërkon kandidat tjetër për
Ervin Bushati dhe Erion Veliaj

Ish-deputeti i PS, Ervin Bushati i cili në zgjedhjet e fundit politike edhe pse ishte kryetar i partisë për Tiranën doli me një rezultat qesharak, sot ka hedhur ‘dorezat e boksit’ ndaj Ramës dhe Veliajt.

Në një intervistë televizive ai është shprehur se duhen provuar njerëz të rinj edhe në Bashkinë e Tiranës duke theksuar se institucioni lokal nuk duhet përdorur si trampolinë për në Kryeministri.

 “Nëse Rama ndjek zërin e arsyes për më të mirën e qytetarëve shqiptarë, do duhet të mendojë edhe më mirë për qytetarët. Duhen provuar edhe njerëz të rinj, edhe për kryeqytetin gjithashtu. Nuk duhet parë si trampolinë politike më bashkia, Bashkia është për të rregulluar jetën e qytetarëve, nuk duhet të politizohet kaq shumë. Duhet këputur ky kordoni umbelikal që lidhet mes bashkisë dhe zyrës së kryeministrisë. Jo kush është kryetar bashkie duhet të ketë ëndrra për t’u bërë kryeministër”, tha Bushati.

Bushati theksoi se bashkia mund t’u kishte shërbyer edhe më mirë qytetarëve.

Ndër të tjera, Bushati u shpreh si sigurt për fitoren e PS në zgjedhjet vendore.

“Opozita e ka të vështirë të marrë bashkitë kryesore. Po kërkon që në reformën territoriale të shtojë bashki, të davarisë idenë e humbjes. Kanë për të marrë bashki të nivelit të tretë. Përveç Shkodrës që e kanë dhe do vazhdojnë ta mbajnë mesa duket”, tha Bushati.

Bushati ka qenë deputet i Partisë Socialiste, por në zgjedhjet e fundit mori më pak vota nga kandidatët e tjerë. Ai arriti rezultate negative edhe në lagjen e tij.

Pas kësaj Rama e caktoi si drejtor të Postës, por dhe aty aventura e tij zgjati shumë pak.

Në krye të këtij institucioni ai zhvilloi një tender i cili në fakt ishte pas kryerjes së shërbimit.

Bëhet fjalë për shpërndarjen që Posta iu bëri broshurave të qeverisë për pyetësorin në lidhje me disa tema siç ishte qeverisja, Ballkani i Hapur apo dhe miratimi i kanabisit mjekësor etj.

Pas kësaj Bushati nuk mban asnjë post partiak apo shtetëror.

Në gjithë dështimin e tij duket se shikon dorën e Erion Veliajt, i cili pas Bushatit mori drejtimin politik të Qarkut Tiranë për Partinë Socialiste.

Pak kohë më parë ka qenë vetë Bushati që publikisht ka thënë se Erion Veliaj është një kryepunëtor i bashkisë dhe nesër një kandidat për kryeministër siç mund të dëgjohet ne videon më poshtë.

 


Video