Qeveria nuk e ka autorizuar ende dhënien e pagesës prej 13 milionë Eurosh ndaj vjehrrit të Lulzim Bashës dhe aksionerëve të tjerë të pallatit të shembur në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Pallati u shemb me urdhër të Edi Ramës, por pronarët fituan në Gjykatën e Strasburgut dëmshpërblim në vlerën e 13 milionë eurove.
Por mesa duket, paratë nuk kanë shkuar ende në xhepat e pronarëve.
Ndaj, pala paditëse e ka çuar çështjen në Këshillin e Europës, ministrat e të cilit u kanë bërë thirrje së fundmi autoriteteve shqiptare që të sigurojnë pagesën e plotë të dëmshpërblimit të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ndaj çështjes së Xhuvi Sharxhit, Xhafer Isufit dhe të tjerëve, së bashku me kamatëvonesën.
"Çështja ka të bëjë me prishjen e një pallati në mospërfillje të një urdhri të përkohshëm të gjykatës dhe në kundërshtim me të drejtat pronësore të paditësit, të drejtën për një gjykim të drejtë, të drejtën për respektimin e pronës dhe të drejtën për mjete efektive juridike.
Shqipëria është e detyruar të zbatojë vendimet përfundimtare të Gjykatës dhe sipas nenit 46 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ministrat miratuan një Rezolutë të Përkohshme (*) duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë për mosdhënien e pagesën", shkruhet në shkresën e KiE.
Ata u kërkuan autoriteteve shqiptare që të përfshinin aplikantët ose përfaqësuesit e tyre në diskutimet në lidhje me pagesën dhe u kërkuan atyre t'i jepnin Komitetit të Ministrave informacion mbi masat e marra për të siguruar pagesën e shpërblimit të drejtë pa vonesa të mëtejshme dhe në çdo rast deri në datën 31 mars 2024./VoxNews