Ish kryeministri i Partisë Demokratike ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar të Rithemelimit.
Edhe këtë të mërkurë, në fokus të Berishës mbetet dosja amerikane e ish zyrtarit të SHBA, Charles McGonigal ndërsa nuk kursen akuzat ndaj Edi Ramës dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Berisha është shprehur se ambasadorja i ka dërguar mesazhe kërcënuese.
Ish-kryeministri i cilësoi të turpshme, por nuk dha detaje të tjera. Sulmi kundër Yuri Kim ishte i hapur duke e cilësuar madje, “McGonigal me fustan” në Shqipëri.
“Shikoni se çfarë luhet në kurriz të shqiptarëve. Nuk foli as guvernatorja Kim, e cila në raport me opozitën është një McGonigal me fustan. Unë e di që ajo do e transmetojë këtë si një qëndrim antiamerikan. Absolutisht nuk ka asgjë antiamerikane në këtë qëndrim, përkundrazi ka një besim të palëkundur te ai vend, që vërtet ka McGonigal, por e arreston atë.
Te ai vend që mbron liritë dhe vlerat, ka defektet dhe të metat, por të dytë nuk ka. Ajo shkelmoi Kushtetutën e vendit të saj, shkelmoi Konventën e Vjenës. Këto nuk mund të jenë kurrë orientime të Amerikës së vlerave, të Amerikës së ligjeve. Të SHBA, që udhëheqin me moralin dhe frymën e tyre.
Sulmet ndaj opozitës, të McGonigal-it me fustan, krahasuar me McGonigal-in me kollare, si mekanizëm njëri u mor me manipulimin, por nuk është marrë me më pak manipulime kundër opozitës zonja Kim. Duke thirrur deputetët për t’i përpunuar dhe manipuluar. Nuk është marrë me më pak me manipulime duke i dërguar Sali Berishës mesazhe kërcënuese të turpshme. Nuk është marrë me më pak manipulime duke përdorur citate të Enver Hoxhës kundër popullit opozitar.
Nuk mund të mbronte kurrë udhëzimet presidenciale, duke u treguar barin atyre që përmbysën komunizmin dhe ishin dhe janë, forca politike më properëndimore në Shqipëri. Nuk mundet kurrsesi të etiketosh atë ndryshe përveçse McGonigal me fustan", tha ai.