Sali Berisha ka thyer heshtjen e gjatë lidhur kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Nuk dihet se për çfarë arsye ish-kryeministri ka pritur lajmin e largimit të Ahmetajt nga Shqipëria për të reaguar për këtë çështje të nxehtë.
Në fjalën e tij Berisha theksoi se Ahmetaj u lajmërua për kërkesën për arrestimin e tij duke u larguar përpara se shkresa të shkonte në Kuvend.
Berisha shtoi se Ahmetaj është shkalla më e ulët morale e qeveritarit, ku pasi vodhi paratë publike u largua nga vendi për të mos u përballur me drejtësinë.
"Arratiset Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministri i organizatës kriminale qeveritare të Edi Ramës.
Për herë të parë në historinë e vendit, super-ministri apo zëvendëskryeministri, de facto organizatës kriminale të drejtuar nga Rama, arratiset.
Sipas dokumenteve zyrtare, Arben Ahmetaj u arratis disa orë përpara se prokuroria e partisë do të kërkonte në parlament lejen për arrestimin e tij.
Mesa duket prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se të njoftonin parlamentin për vendimin e arrestimit të tij.
Shtoj këtu se për të mos e emocionuar gjatë arratisë, kërkesa e Prokurorisë Speciale ishte fshehur për tre ditë nga parlamenti i vendit.
Dje Arben Ahmetaj tregoi se cila është shkalla e ulët morale, standardi më i ulët i anëtarëve të organizatës kriminale të Edi Ramës, zëvendësit, ministrave të tij, të cilët pasi pasurojnë veten dhe rrethin e tyre duke vjedhur paratë e taksave dhe pasuritë publike, sapo të thirren për të dhënë shpjegime, arratisen pa u hyrë ferra në këmbë.
Arratisja e Arben Ahmetajt dëshmon se për anëtarët e organizatës kriminale të Edi Ramës, përgjegjësia zëvendësohet me vjedhjen, dhe në fund të karrierës pasi kanë mbushur valixhet me paratë e vjedhura, arratisen apo dërgohen në ekzil për të tretur dhe gëzuar paratë e tyre.
Arratisja e Ahmetajt apo dërgimi i tij në azil nga Edi Rama shënon kulmin e degradimit të organizatës kriminale, por edhe të poshtërimit të shoqërisë shqiptare", deklaroi ndër të tjera Berisha.