Berisha paralajmëron protesta: Rama i ka ditët e numëruara, do dënohet me dekada

5 September 2022, 19:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha paralajmëron protesta: Rama i ka ditët e numëruara, do
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë fundit që u fut në sallën e Kuvendit dhe i pari që doli prej andej në seancën e sotme plenare, ku nisën zyrtarisht punimet për sesionin e tretë të legjislaturës së 10 të Kuvendit.

Ai foli për mediat nga oborrri i Kuvendit ku deklaroi se seanca e sotme nuk mund të quhet as pagane sipas tij, në ditën e nderimit të Shën Terezës. Ai shtoi më tej se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka asnjë ligj për të mbështetur qytetarët shqiptarë në nevojë, në këtë periudhë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme.

"Edi Rama thirri parlamentin në ditën e nderimit të Shën Terezës, ditë e cila inspiron më shumë se çdo gjë tjetër, mëshirë, dhembshuri dhe ndjeshmëri ndaj atyre që janë në vuajtje dhe nevojë.

Unë mund të ju them se sot kjo seancë, të thuash që ishte pagane, i turpëron paganët. Në një listë të gjatë ligjesh dhe vendimesh, nuk kishte absolutisht asnjë rresh të vetëm, nen apo vendim të vetëm për qytetarin shqiptar.

Rikujtoj se vetëm dy ditë më parë, jo qeveria gjermane e cila dha 45 miliardë euro për qytetarët e saj, nuk e marr këtë shembull, por qeveria e Kosovës akordoi për qytetarët e saj 100 euro për çdo pensionist. Akordoi 100 euro për çdo student, 100 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve publike. 50 euro për çdo punonjës të administratës publike dhe dyfishoi fiks ndihmën ekonomike. E tëra kjo për të përballuar çmimet që sot në Kosovë, duke filluar nga nafta dhe të gjitha produktet bazë janë 30% më të ulëta se në Shqipëri.

Kurse ky parlament nuk ka asnjë vendim asnjë nen, ligj, për të mbështetur qytetarët shqiptarë në nevojë, në këtë periudhë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme, duke shfrytëzuar edhe rritjen e çmimeve me bordet komuniste të Edi Ramës." - deklaroi Berisha.

Më tej, ish-kryeministri paralajmëroi se do të ketë protesta të qendrueshme në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë dhe se sipas tij kryeministri Edi Rama i ka ditët e numëruara.

Ai shtoi më tej se Rama meriton me dekada burg për veprat që ka bërë.

"Padiskutim që koordinimet do të bëhen. Ka një front opozitar që do të mblidhet. Do të mblidhet ‘Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë’ dhe do të miratojë një axhendë që ka si synim një protestë të qëndrueshme popullore në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.

Largimi i kësaj maxhorance është shpëtimi i Shqipërisë. Ka një armik të egër sot për çdo shqiptar, dhe ky armik është Edi Rama, në të gjitha rrafshet. Se cila ishte dhe është PD-ja ju patët rastin ta shifni dhe do të keni rastin ta shifni. Sot vendi ka një opozitë më të fuqishme se ndonjëherë dhe Edi Rama në një farë mënyrë i ka kohërat e numëruar. Ishte në Beograd, dëshmoi se Shqipërinë e do serbisht. Atje do të shkojë, nëse lejohet.

E vërteta është se ai do të japë llogari për të gjitha vjedhjet monstruoze që ka bërë para ligjit shqiptar dhe ato vepra penale, nuk bëjnë vite por shumë dekada dënim për Edi Ramën.

Opozita është në betejë me Edi Ramën. Kryetarja e Kuvendit është thjeshtë një instrument në duart e tij. Çdo gjë është e përcaktuar nga njeriu që vendosi monizmin absolut në Shqipëri dhe që duhet të ikë sa më shpejt dhe sa më parë, në mënyrë që Shqipëria të vendosë sistemin demokratik pluralist." tha Berisha.


Video