Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtarë, njëherësh ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, ka bërë dje disa deklarata të forta rreth trazirave të vitit të mbrapshtë 1997, ndërsa ka paralajmëruar për një grusht të mundshëm shteti këtë vjeshtë, referuar thirrjeve të ish-kryeministri Sali Berisha për revolta, me qëllim rrëzimin e qeverisë “Rama 3”.
Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Braho është kthyer pas në kohë, teksa shprehet se autori kryesor i trazirave të vitit 1997 dhe madje shumë të këqijave që kanë ndodhur në Shqipëri, është ish-kryeministri Berisha, aso kohe President. Por Braho ka shkuar më tej, kur thotë se Berisha po përgatitet për grusht shteti gjatë ditëve në vijim. Ai thotë se kështu po vjen një tragjedi e re dhe e pariparueshme për vendin.
Ju kini shprehur dyshimin se ajo histori mund të përsëritet gjatë kësaj vjeshte që sapo ka trokitur dhe ndërkohë lëmit të politikës i është shtuar edhe Ilir Meta si personazh. Pse e keni këtë dyshim?
Po, është e vërtetë. Për sa kohë në PD do të bëjë ligjin Sali Berisha, ky rrezik është evident. Berisha ka uzurpuar Partinë Demorkatike për hallin e tij dhe ai i ngjan një bishe të plagosur dhe mendon se vetëm një përplasje civile, një grusht shteti mund ta shpëtojë nga ndëshkimi. Ja shiko, unë po të jap sot një listë me 600 persona (që ju mund t’i botoni në vijim) se si janë armatosur me urdhër të Sali Berishës për të sulmuar jugun e vendit. Budallenjtë, përveç emrit dhe firmës kanë shënuar edhe numrat e kartave të identitetit. Armatosja e militantëve të PD-së ka ndodhur në disa rrethe të vendit në atë kohë. Këta njerëz dhe të tjerë ka rrezik të vijnë të armatosur në gjatë protestave të thirrura nga Berisha… Të jetë kjo e rastësishme dhe të mos jetë e menduar nga krerët e opozitës? Nuk besoj. Megjithatë le të shohim…
-Ju flisni për rrezikun e një grushti të ri shteti? Sa e mundshme dhe sa ka mundësi të ndodhë një grusht i ri shteti?
Pikërisht këtu e kisha fjalën. Berisha po përgatitet për një grusht të ri shteti dhe këtë pritet ta bëjë me shpurën e tij. Besojeni apo jo. Por ai po përgatitet. Prandaj po përmendë fjalët e Julius Fuçikut: “Njerëz, jini vigjilentë!” Do të jetë një tragjedi e re dhe e pariparueshme për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”, për t’i dërguar një mesazh të qartë qytetarëve dhe zbardhur strategjinë e horrit Sali Berisha.