Ditën e sotme ka nisur sesioni i tretë i legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë.
Të pranishëm në sallë kanë qenë pothuajse të gjithë deputetët, ku nuk ka munguar as ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, ku duket se është kthyer nga Holanda, aty ku u filmua pak ditë më parë me bashkëshorten.
Siç shihet në foton e mëposhtme, Basha ka qenë i vetëm në momentin kur ka hynë në Kuvend, teksa shfaqet i qeshur dhe përshëndet me dorë gazetarët.
Kuvendi ka nisur zyrtarisht punimet sipas traditës me këndimin e Himnit Kombëtar, në fillim të seancës. Teksa të gjithë deputetët janë ngritur në këmbë për të respektuar simbolin shtetëror e identitar shqiptar, një figurë e rëndësishme e opozitës mungonte në sallë dhe “nuk e kapi dot çastin”.
Bëhet fjalë pikërisht për ish-kryeministrin dhe kreun aktual të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka mbërritur me disa minuta vonesë në sallë i shoqëruar nga dy deputetët Flamur Noka dhe Albana Vokshi.
Pas rendit të ditës, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ju drejtua Foltores ku lexoi letrën publike të Presidentit Begaj drejtuar ligjvënësve. Gjatë kësaj kohe, kryeministri Edi Rama është fotografuar herë "i zhytur" në mendime dhe herë duke bashkëbiseduar me zv.kryeministren Belinda Balluku.