Berisha në telashe me drejtësinë, Basha nga Dibra: Të korruptuarit të japin llogari! Të kthehen pas paratë që...

22 October 2023, 18:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha në telashe me drejtësinë, Basha nga Dibra: Të
Lulzim Basha në Dibër


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë mesazhe të forta, siç duket në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berisha, pas akuzave të rënda të ngritura ndaj tij nga SPAK.

Teksa dhëndri i Berishës ndodhet në burg dhe ish-"babai politik" është me masën detyrim paraqitje për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, Basha ka kërkuar që paratë e vjedhura t'i kthehen pas qytetarëve.

Nga Dibra ku zhvilloi disa takime, Basha ka bërë thirrje që të gjithë të korruptuarit të japin llogari para drejtësisë.

Nga dosja e SPAK u zbulua se Jamarbër Malltezi kishte arritur të fitonte mbi 5 milionë euro nga privatizimi i ish-kompleksit "Partizani" pa kryer as më të voglin investim.

Mesazhi i Bashës:

Sot isha në Dibër ku pash nga afër shqetësimet e tregtarëve për rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse të qytetarë që, me buxhetin e vogël në dispozicion, nuk arrijnë të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre.

Ky është realiteti prej vitesh - thonë tregtarët. Kjo ka ndikuar në largimin masiv të rinisë duke pamundësuar edhe shfrytëzimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë.

Ata përballen me vështirësi të shumta, që nga mungesa e mbështetjes për shtresat e varfëra, për sektorin e bujqësisë e blegtorisë, mungesa e tregut dhe vendeve të punës, çka ka sjellë dhe rënie të fuqisë blerëse.

Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realitetit sot në Shqipëri që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi.
Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht.

Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët.


Video