Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar tenderin e pazakontë të bërë nga numri dy i qeverisë, Belinda Balluku.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka urdhëruar vartësit e saj që të bëjnë një tender për t’i larë makinën e shtetit me të cilën lëviz, një Audi A8.
Duke iu referuar investigimit të VoxNews, të marrë më pas nga mediat e tjera, Berisha tha se në fillim iu duk e pabesueshme, por sipas tij, kjo tregon se kush janë kandidatët e Partisë Socialiste.
“A ti marrim kandidaturat e PS? Çfarë kemi aty, kemi një seri zyrtarësh dhe ministrash me barrë të rëndë krimi dhe akuza ndër më të rëndat. Belinda Balluku ka bërë tender për të larë njëherë çdo javë makinat e saj me 10 mijë euro. 10 mijë euro lavazhi, ai i kishte vënë tituj të bukur “sauna e makinave të Ballukut”. Thoshte që ky lavazh duhet të jetë jo më larg se dy km nga ministria, duhet të ketë këto furçe, duhet të ketë këto lloj solucionesh. Kur e lexova mendova mos ishte ndonjë humor i gazetarit. Por gazetari kishte publikuar të gjitha dokumentet e tenderit. Në muaj 10 mijë euro lavazh. Këta janë kandidatët e PS. Të tjerët janë fasadë për të bërë makijazhin e Edi Ramës”, tha Berisha në “Opinion”.