Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka reaguar në lidhje me vendimet e dhënë sot nga SPAK për Ilir Beqajn, ish-ministër i Shëndetësisë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Klosi u shpreh se Partia Socialiste nuk bëhet mburojë e askujt, por u shpreh se beson tek kolegu Beqaj.
“Do doja shumë që ta pranoja atë që tha Beqaj, që i ndërgjegjshëm për situatën me drejtësinë ai jep dorëheqjen nga posti.
Ai është i qetë që ky proces nuk do ta dëmtojë atë personalisht, por do ta zbardhë figurën e tij.
Mendoj që ajo çfarë kemi bërë për shëndetësinë është një gjë shumë e madhe, kemi sjellë një standard tjetër në spitali
Nëse procesi ka problematika, kjo po hetohet dhe ne e kemi thënë që PS nuk bëhet mbrojë dhe nuk kundërshtojmë vendimet e drejtësisë së re
Unë prirem të mendoj se gjërat do të shkojnë në rrugë të drejtë dhe do të kemi një përgjigje të saktë. I besoj asaj që thotë Beqaj që në fund figura e tij do të dalë e pastër
SPAK bën detyrën. Ne nuk është se kemi anatemuar procesin”, tha Blendi Klosi, ndërsa theksoi se "nga sot Ilir Beqaj ka dhënë dorëheqjen nga funksionet publike”.
Blendi Klosi bëri edhe krahasimin me rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është me të njëjtën masë ashtu si edhe Beqaj.
“Në vendimet e gjyqësorit ne nuk do gjykojmë, ne nuk do marrim krah. Diferenca është shumë e madhe. Në rast se një përfaqësues i të majtës merr të njëjtën masë si Berisha dhe pranon që është i gatshëm të heqë dorë nga funksionet dhe të hetohet dhe pranon logjikën e gjyqësorit, natyrisht do ketë avokatët e tij, ndërkohë në krahun tjetër Berisha nuk pranon të ballafaqohet me drejtësinë dhe kjo është diferenca e madhe”, tha Klosi.