Begaj mesazh në Ditën e të Drejtave të Njeriut, apeli për të rinjtë

10 December 2024, 10:20Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Begaj mesazh në Ditën e të Drejtave të Njeriut, apeli
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, iu drejtua sot në mënyrë të veçantë të rinjve në mesazhin për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Presidenti Begaj i fton ata të marrin një rol aktiv në përpjekjet për respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor për një të ardhme më të mirë.

Presidenti e cilëson festimin e kësaj dite si moment reflektimi, ndërsa i bën thirrje shoqërisë shqiptare për gjithëpërfshirje.

“Secili nga ne, duke dhënë kontributin e tij, mund të luajë një rol thelbësor në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore”, – shprehet, ndër të tjera, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj.

Mesazh i plotë i Presidentit Begaj në profilin e tij në rrjetet sociale:

“10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, shërben si reflektim mbi qasjen tonë ndaj parimeve dhe të drejtave themelore të qytetarëve. 

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, që u aprovua dhe u shpall më 10 dhjetor 1948,  njohu të drejtat dhe liritë themelore për çdo qenie njerëzore, pa dallim race, ngjyre, gjinie, gjuhe, feje, origjinë kombëtare ose sociale, opinioni politik, pasurie ose kushte të tjera.

Deklarata shërben si një udhërrëfyese për kombet dhe shtetet anëtare.

Secili nga ne, duke dhënë kontributin e tij,  mund të luajë një rol thelbësor në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Por, në këtë ditë, unë ftoj veçanërisht të rinjtë të jenë mbajtësit dhe përcjellësit e saj, duke çmuar çdo të drejtë që gëzojmë si qenie njerëzore, nisur me respektin e tjetrit, pranimin e njerëzve ashtu siç janë.

Duke respektuar, mbështetur e reklamuar të drejtat njerëzore, ju, të dashur të rinj, do të ndërtoni një shoqëri më të mirë e më të paqtë”.


Video