
Vonesa në përzgjedhjen e kandidatëve nga Partia Demokratike zyrtare nuk lidhet me asnjë dilemë të kryesisë, apo kryetarit Basha më shumë se sa me mungesën e emrave të spikatur në nivel lokal që të pranojnë kandidimin.
Burime nga Partia Demokratike të Voxnews.al thonë se nga negociatat e zhvilluara të paktën në Lushnje, Durrës dhe në Shkodër një sërë emrash të përfolur dhe përgjithësisht të dakordësuar mes forumeve drejtuese të PD-së kanë refuzuar kandidimin.
Në listën e refuzimeve, thonë burimet, janë të paktën 5 emra. Ata janë drejtues vendorë të partisë, njerëz të spikatur në komunitetet vendore dhe me kontribute shumëvjeçare brenda Partisë Demokratike.
Arsyet e refuzimit nuk jepen, por besohet se ato lidhen me situatën e brendshme në Partinë Demokratike, përçarjen e thellë që ka zbritur deri në bazë, mandati njëvjeçar si kryetarë bashkie dhe mbi të gjitha shanset e pakta për fitore.
Kandidatët e mundshëm e të preferuar nga drejtuesit e PD-së nga ana tjetër kanë bërë edhe llogaritë e tyre personale dhe sipas këtyre llogarive ata duhet ta kenë kuptuar se ky nuk është momenti më i mirë për të kandiduar nën siglën e PD-së pa rrezikuar që të djegin karrierën dhe ambiciet e tyre personale politike.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.