Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ironizuar koalicionin e bërë mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe LSI-së për zgjedhjet e pjesshme.
Gjatë një takimi që ka zhvilluar me demokratët e degës 14 të Tiranës, Basha shprehet se e gjithë përpjekja e Berishës, me sulmet e demokratëve ishte për t’i dorëzuar PD-në Ilir Metës.
Ndërsa për protestën e zhvilluar në 8 janar në selinë e PD-së, kryedemokrati deklaroi se i gjithë ai sulm ishte për ta kthyer shtëpinë e lirisë në shtëpinë e Ilirit.
“Jemi ne! Jeni ju! Është rinia! Dhe prapëseprapë, edhe ata demokratë, shumë prej të cilëve sot më kanë shkruajtur mua dhe jam i sigurt iu kanë shkruajtur dhe shumë prej jush, disa prej tyre i kanë shkruajtur publikisht në facebook, kritikë të rreptë të mi është ta them butë, kritikë të egër, dhe i shkruajnë;” Sali Berisha na paske mashtruar!”. “Gjithë betejën e paske bërë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës!” Kurrë!
Partia demokratike është e demokratëve! Partia demokratike është e sakrificës së demokratëve! Partia demokratike është e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar! E gjithë beteja, edhe sulmi dhe denigrimi që i është bërë demokratëve, drejtuesve dhe demokratëve të thjeshtë. Po deputeteve zonjave, anëtarëve të kryesisë, e gjithë kjo për çfarë ka qenë, për t’i dorëzuar PD-në Ilir Metës? E gjithë ajo skenë barbare e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve për çfarë paska qenë, që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit” – tha Basha.