Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka ndjekur nga afër situatën e krijuar nga zjarri që ka përfshirë kodrat me Pisha të Peshtanit.
Prej dy ditësh forcat zjarrfikëse kanë vijuar punën për shuarjen e zjarrit, ndërsa sot i erdhi në ndihmë edhe një helikopter nga ajri.
Dyshohet se kjo zjarrvënie është e qëllimshme, e në pranga është vënë një 28-vjeçar i dyshuar si autori.
Balla deklaroi se aktualisht përveç Fierit ka dhe një situatë të vështirë zjarri edhe në Vlorë. Ai tha se do të kërkojë ndëshkim ekzemplar për këdo që vendos zjarre.
“Po ndjekim situatën e vatrave të zjarrit në disa qarqe të Shqipërisë. Aktualisht përveç Fierit ku jam aktualisht, kemi një situatë të vështirë edhe në Vlorë.
Në Fier kemi ndërhyrë gjatë ditës edhe nga ajri përmes helikopterit. Kemi ndaluar personin që dyshohet se ka shkaktuar zjarrin. Zjarrvënia është vepër penale dhe do të kërkojmë ndëshkim ekzemplar për këdo”, tha Balla.