Lulzim Basha ka vijuar edhe sot me takimet me simpatizantët në kuadër të zgjedhjeve për kryetar të PD-së në 29 korrik.
Gjatë bashkëbisedimit me disa mbështetës, Basha ka thënë se është e nevojshme që politikanët shqiptarë t'i nënshtrohen vettingut të politikanëve. Ai tha se ata që s'kanë çfarë të fshehin, s'kanë as pse tremben.
"Sot Shqipëria e ka nevojë jetike pastrimin e politikës, ndarjen e saj me krimin dhe largimin nga sistemi i politikanëve të korruptuar.
Vetting-u i politikanëve është edhe mënyra për të çrrënjosur modelin e baltosjes, duke treguar me fakte se kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, kush mbron interesat e oligarkëve e kush jo", tha Basha.
Në përfundim të fjalës së tij, Basha paralajmëroi një koalicion gjithëpërfshirës të PD-së për arritjen e qëllimeve që ai parashtroi.