Baçi hedh poshtë akuzat: Lojë e Braçes me ministren Krifca për të fshehur dështimin e Qeverisë

14 July 2022, 19:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Baçi hedh poshtë akuzat: Lojë e Braçes me ministren
Deputeti i PD, Luan Baçi

Gjatë interpelancës me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, deputeti socialist Erion Braçe tregoi një foto në foltore. Në foto shfaqej deputeti i PD-së i qarkut të Fierit, Luan Baçi në shoqërinë e tre personave të tjerë, që sipas Braçes janë grumbullues të shalqirit.

Duke iu referuar kësaj fotoje, Braçe nënkuptoi se grumbulluesit kanë ngritur një kartel politik duke vendosur çmime të ulta për blerjen e prodhimit të fermerëve me qëllim nxitjen e pakënaqësisë së tyre ndaj qeverisë.

“Këta po ndjekin politikën, ajo që ka ndodhur me çmimin e shalqirit është politike. Të tre ja ku i keni, po të doni pyetini, ku kanë pirë e kanë ngrënë dje në darkë. Jo i madhi fare, i madhi i Donit, se ai ishte duke ngrënë peshk në hyrje të Lushnjës”, u shpreh Braçe.

Por, deputeti demokrat iu përgjigj nga studiot televizive Braçes duke hedhur poshtë akuzat dhe duke e cilësuar të gjithë debatin Braçe-Krifca një aktrim.

"Çdo gjë e ka të mirëkordinuar me ministren e Bujqësisë, nuk është sulm, por e mirëkoordinuar. Duke parë që gjendja e fermerëve shqiptarë dhe Myzeqeja është në prag të falimentit, gjendje katastrofike, prodhimi i tyre po mbetet në fushë, kostoja shumë e lartë, para këtij faktit ka ndarë rolet ministrja me deputetin Braçe. Braçe bën sikur iu del në mbrojtje fermerëve ndërsa ministrja i qëndron strikt asaj që quhet respektim i tregut, kërkesë-ofertës dhe duke mos iu rënë në qafë, sipas asaj dhe eksportuesve e importuesve, që Braçe i sulmon ashpër dhe fuqishëm”, deklaroi deputeti Luan Baçi.

Baçi pranoi vërtetësinë e fotos, por thotë se nuk ka qenë në takim vetëm me grumbulluesit, ndërsa shton se fermerët dhe grumbulluesit akuzojnë Braçen për diversion.

“Duke kërkuar të hedhë fajin për uljen e çmimit të shalqirit duke gjetur armikun e brendshëm, duke shpallur kulakët e rinj, eksportuesit dhe grumbulluesit, dhe se janë këta e keqja e madhe që çmimi i shalqirit është i ulët, dhe këta e marrin me çmim të ulët dhe e shesin me çmim të shtrenjtë. Braçe kërkon të tërheqë vëmendjen nga e vërteta, që qeveria po falimenton të gjithë fermerët dhe eksportuesit. Ne po bisedonim për problemet e fermerëve dhe eksportuesve. Diversion që bën PS nëpërmjet Braçes, nuk është iniciativë e Braçes, por skenar i përgatitur nga qeveria e PS, ministrja Krifca me Braçen se si do justifikojmë këtë faliment, rritje kostosh dhe si të gjejmë shpjegimin”, tha Baçi.


Video