Alibeaj tha se ka marrë zero lekë për 14 Majin, reagon KQZ: Nuk është detyra jonë shpërndarja e fondve, por e Buxhetit të Shtetit

5 May 2023, 15:35Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Alibeaj tha se ka marrë zero lekë për 14 Majin, reagon KQZ: Nuk
Ilirjan Celibashi dhe Enkelejd Alibeaj

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka reaguar pas deklaratës se kryetarit të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj se deri më tani ka marrë 0 lekë për zgjedhjet lokale të 14 Majit, pavarësisht se KQZ i ka alokuar një fond prej 1 milionë eurosh nga buxheti i shtetit.

KQZ, përmes një njoftimi për mediat, bën me dije se vendimin e ka miratuar që në datën 22 Prill, por me shpërndarjen e fondve merret direkt Buxheti i Shtetit.

Njoftimi

Shpjegim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 05.05.2023

Duke u nisur nga disa shqetësime të raportuara nga ndonjë subjekt zgjedhor lidhur me vonesën në shpërndarjen e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që u jepet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”, KQZ sqaron se:

Fondi për zgjedhje që përfitojnë partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje u miratua me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 13.04.2023. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në datën 13.04.2023 dhe i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datë 20.04.2023.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më datë 22.04.2023 ka miratuar vendimin nr. 397, “Për përcaktimin e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që do t'u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”.

Shpërndarja e fondeve partive bazuar në vendimin përkatës të Komisionerit Shtetëror bëhet direkt nga Buxheti i Shtetit.


Video