A po e sanksionon Shqipëria e para Kosovën në emër të bashkësisë Euroatlantike? Si përgjigjet Rama

13 June 2023, 20:28Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A po e sanksionon Shqipëria e para Kosovën në emër të
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në konferencën e jashtëzakonshme për mediat ku shpjegoi pse mori vendimin e anulimit të mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Kosovës iu përgjigj edhe një pyetjeje në lidhje me sanksionet e ndërkombëtarëve që ai paralajmëroi.

I pyetur nëse Shqipëria dhe ai po i paraprijnë sanksioneve të bashkësisë EuroAtlantike, për të cilat paralajmëroi Prishtinën, Rama kundërshtoi, por theksoi se si kryeministër i vendit nuk mund të mos reagojë kur Kosova digjet.

“Jo, fare sepse thashë se kam disa ditë që kërkoj ta takoj. Ka qenë I zënë e mirëkuptoj. Por nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si UFO. Shqipëria nuk është UFO të paktën, është pjesë e pandashme e njësisë Euroatlantike. Ndaj s’mund të bëjmë teatër ,me marrëveshje për bujqësinë dhe blegtorinë, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”, tha Rama.

Rama gjithashtu nënvizoi se “asgjë nuk ndodh” nëse Albin Kurti nuk pranon të zhvillojë takimin e formatit më të ngushtë që ai i ka kërkuar me ngulm, vetëm se duhet thënë sipas tij se “jeta vazhdon keq për Kosovën fatkeqësisht”.

“Aspak mirë edhe për kryeministrin e Kosovës”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se nuk ka asnjë shans që Tirana të lëvizë nga boshti i ndërkombëtarëve.

“Nuk është fjala për të zotin e hallit sepse halli është i Kosovës. Por është edhe i shqiptarëve. Halli nuk është i Kryeministrit, halli është i qytetarëve të Kosovës, i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve.

E dyta, ne e kemi shumë problem sepse Shqipëria nuk është një UFO, nuk operon e izoluar dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie por Shqipëria është një shtet që është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike, është vend anëtar i NATO nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike, për më tepër ne mendojmë jo 99 por 100% njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës mos i mbani zgjedhjet në veri, unë isha 100% me Albinin që duheshin mbajtur”, theksoi Rama.

Sakaq, Rama u ka kthyer përgjigje si Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç për draft-statutin e propozuar nga ai për një zgjidhje të konfliktit në veri të Kosovës me popullsinë serbe.

Rama u shpreh se nuk pret asgjë nga Presidenti serb Vuçiç, por pret nga Kurti që të paktën ta shikojnë draftin.

“Nuk pres që Presidenti i Serbisë të thotë bravo, as ta pranojë. Unë s’pres nga ai. Po minimalisht Kryeministri i Kosovës të thotë ok ta shohim. Çfarë problemi ka? Merre shihe njëherë se s’dihet. Ju siguroj që është top, se nuk e kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botërorë. Ata që e kanë marrë në Paris, Bruksel, Uashington kanë vetëm fjalë të mira. Ka një pengesë psikologjike që ka të bëjë me natyrën e gjithë politikës së bërë nga dy”, u shpreh Rama.

 


Video