
Gazment Bardhi foli sot për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Bardhi tha se në mbledhje u diskutua ndër të tjera për mundësinë e bashkimit të Partisë Demokratike dhe të opozitëss në tërësi.
Ai tha se nuk ka ende një përfundim lidhur me këtë çështje dhe se sapo të ketë një konkluzion do të komunikojë me mediat.
“Po është diskutuar edhe çështja e bashkimit të PD dhe të opozitës. Secili koleg dha mendimin e tij. Kur të kemi një konkluzion unë do të jem para jush për ta komunikuar. Më se pari idetë e mia do i them brenda grupit parlamentar dhe më pas për mediat”, tha Gazment Bradhi.
Bardhi u pyet nga gazetarët nëse do të nisë bisedimet me deputetët demokratë që mbështesin Lulzim Bashën. Ai tha se shumica e kolegëve të tij demokratë që mbështesin Bashën janë të ndershëm dhe se nuk do të bashkonin votat e tyre me votat e Ramës.
“Shumica e kolegëve që janë rreshtuar me Bashën janë opozitarë të ndershëm, nuk do të votojnë kurrë ligjet e Ramës që favorizojnë Ramën. Grupi i Bashës nuk mund të bashkojë votat me Ramën”, tha Gazment Bardhi.
Më tej Bradhi bëri me dije se opozita do të vijojë aksionin në Kuvend me protesta, ashtu sikur se ka bërë gjatë seancave parlamentare muajt e fundit.
“Patjetër që opozita do ta vijojë protestën”, tha Bardhi kur u pyet nëse opozita do të bllokojë mbarëvajtjen e seancës plenare që do të mbahet ditën e hënë, 15 janar.
Gjithashtu Bardhi tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dy ligje të miratuara nga mazhoranca; ligjin për Portin e Durrësit dhe ligjin që rrit fitimin mbi profesionet e lira. Për sa i përket Reformës Zgjedhore, Gazment Bardhi tha se kryeministri Edi Rama po e trajton reformën zgjedhore si mall tregu.
“Doli qartë se pse kërkon të mbaj bllokuar punën e komisionit për Reformën Zgjedhore. Qëllim i Edi Ramës është që ta trajtojë Reformën Zgjedhore si mall që shitet në treg. Unë dua të shpreh keqardhjen që një pjesë shumë e vogël që konfirmuan dje që janë në këtë tentativë”, tha Bardhi.
Gazment Bardhi i bëri thirrje gjithashtu presidentit Bajram Begaj që mos të dekretojë ligjin për komisionet hetimore.
“Ky projektligj ka probleme kushtetuese. Presidenti mos ta dekretojë. E ka për detyrë që ta kthejë. I jam drejtuar institucionalisht presidentit dhe pres që të zbatojë detyrimet e tij kushtetuese”, tha Bardhi.