
Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim publik, pas shpërndarjes së disa videove intime të disa personazheve të njohur.
Në njoftim thuhet se kanë nisur hetimet për faqet që kanë publikuar këto video, si dhe për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Njoftimi i Policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht, pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.