Avokati Plarent Ndreca ka denoncuar pengimin e takimeve me klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, i cili ndodhet në paraburgimin e burgut të Fierit.
Përmes një mesazhi drejtuar drejtorit të këtij institucioni, Ndreca pretendon se është për herë të dytë që i refuzohet hyrja në burg për të takuar klientin, duke e cilësuar këtë veprim si cenim të të drejtave të mbrojtjes.
Për shkak të përsëritjes së situatës, Ndreca paralajmëron se do t'i drejtohet oficerit të policisë gjyqësore në shërbim për të depozituar kallëzim penal ndaj punonjësve përgjegjës.
Ndreca i kërkon drejtorit të burgut të ndërhyjë menjëherë për të garantuar zbatimin e ligjit, duke theksuar se respektimi i tij është detyrim dhe jo çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit.
Reagimi i Ndrecës:
“Drejtor,
Është hera e dytë që përsëritet e njëjta situatë. Edhe sot po pengohem të hyj në institucion dhe të takohem me klientin tim.
Po ju rikujtoj edhe një herë se neni 51 i ligjit parashikon shprehimisht të drejtën e avokatit për të takuar klientin e tij në çdo kohë.
Pengimi i ushtrimit të detyrës sime si mbrojtës cenon drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të klientit tim sjell përgjegjësi penale për personat përgjegjës, përfshirë veprën e shpërdorimit të detyrës.
Nuk kam ardhur këtu për të përshkallëzuar situatën, për ta bërë publike apo për ta kthyer në çështje penale. Kam ardhur vetëm për të ushtruar detyrën time si avokat. Por përsëritja e kësaj pengese po më detyron të ndërmarr veprime ligjore.
Ju kërkoj të ndërhyni menjëherë dhe të garantoni zbatimin e ligjit!
Në të kundërt, do të detyrohem t’i drejtohem oficerit të policisë gjyqësore në shërbim për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës sime.
Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim!”