Tensione dhe përplasje te Ministria e Arsimit! Studentët kërkojnë largimin e deputetëve të PD

31 October 2026, 14:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tensione dhe përplasje te Ministria e Arsimit! Studentët

Studentët kanë refuzuar opozitën dhe kanë kërkuar largimin e deputetëve, të cilët marshuan nga Kryeministria drejt ministrisë së Arsimit, ku po zhvillohet protesta kundër kryeministrit Edi Rama.

Ata theksuan se protesta është e popullit dhe jo e partive që e kanë shkatërruar vendin ndër vite. Ata theksuan se Sali Berisha dhe deputetët e tij nuk duhet të marrin pjesë në protestën e tyre.

“Çdo qytetar janë të mirëpritur, deputetët duhet të shmangen se janë simbol i partive që pëfaqësojnë. Kjo protestë është e popullit. Ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij simbolizon një parti. Nuk kemi penguar asnjërin që të vijë sepse është e drejtë kushtetuese që të protestojë. Ne nuk duam persona që janë simbol i partive që na kanë rrënuar në mënyrë specifike“, tha njëri nga të rinjtë.

Ndërsa një tjetër theksoi se që nga 31 maji, me protestën e Flamingove, ata kanë kërkuar largimin e Edi Ramës dhe të Sali Berishës.

“Kjo protestë që nga 31 maji ka qenë Edi Rama në burg dhe Berisha në burg. Çdo simpatizant i PD është i mirëpritur. Berisha dhe deputetët e tij në asnjë mënyrë”, shtoi një tjetër.

Një vajzë u shpreh se opozita duhet të heqë dorë nga deklaratat publike se është ajo që i ka nxjerrë të rinjtë në protestë, duke e akuzuar se po tenton që të përçajë iniciativën e tyre.

 “Mos na përçani. Unë jam dakord të jemi bashkë. Nëse jemi bashkë. Atëherë ju lutem mos i nxirrni deklaratat sikur PD po nxjerr studentët në protestë. Nxirreni se ju jeni me ne. Nuk pranojmë deklarata publike se PD ka organizuar protestën.”, tha ajo.


Video