E FUNDIT / Policia e Moskës dhe Shërbimet Sekrete çmontojnë grupin neonazist pro-ukrainas

2 March 2022, 17:15Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E FUNDIT / Policia e Moskës dhe Shërbimet Sekrete
Foto nuk ka lidhje fare me artikullin

MOSKË - Sipas një njoftimi të fundit nga agjencia ruse e lajmeve Putnik, policia e kryeqytetit Moskë në bashkëpunim me shërbimet sekrete sapo kanë çmontuar një grup të rrezikshëm neonazist me lidhje ukrainase, shumica e anëtarëve të të cilit tashmë ndodhen pas hekurave.

Sipas dokumenteve, që i ka lexuar edhe Patronazhisti, neonazistët pro-ukrainas kishin në përbërje të tyre edhe njerëz të degjeneruar, drogaxhinj si dhe elementë të tjerë të rrezikshëm që dëgjonin radio të huaja.  

Mësohet se ata u dekonspiruan pas një aksioni të fundit, që sado i sofistikuar, nuk shpëtoi pa u zbuluar nga shërbimet sekrete të Presidentit Sputnik që po e ndiqnin prej kohësh aktivitetin e grupit.

Kështu, anëtarët kryesorë të grupit neonazist planifikuan në mënyrë djallëzore jo vetëm mbajtjen e disa pankartave me ngjyra ku shkruhej “Njet Vojne”, që dmth “Jo Luftës”, por edhe daljen me to nëpër rrugët e Moskës.

Burimet bëjnë me dije se një pjesë e mirë e neonazistëve kishin marrë dhe prindërit me vete në operacionin sekret, duke i përdorur ata si mburojë civile për qëllimet e tyre të errëta.

Në një deklaratë për shtyp, gjithsesi, Policia e Moskës sqaron se:

“Megjithatë, falë vigjilencës dhe reagimit të organeve tona si një trup i vetëm, plani i neonazistëve, që u asistuan me lëndë të parë si letër karton, lapsa me ngjyra dhe vinovil nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm u neutralizua që në momentet e para. Kështu, ranë në duart e organeve tona element të rrezikshëmsi Olga M, 7 vjeçe, Pjotër Sh, 8 vjeç e 6 muaj, Alina G, 6 vjeçe, Sasha T, 8 vjeç pa pak. Kjo bërthamë e bandës pro-ukrainase udhëhiqej nga Dimitri B, 9 vjeç e tre muaj, që po merret veçmas në pyetje”.

Burimet për Patronazhistin bëjnë me dije se kryebanditi Dimitri B nuk ka pranuar të zbërthehet para organeve ruse dhe ka kyçur gojën, duke kërkuar urgjentisht praninë e nënës së tij Sashenka, si dhe një gotë qumësht të ngrohtë.

“Pa m’i plotësuar këto dy kërkesa, nga unë s’do nxirrni gjë,” ka deklaruar kryebanditi duke fshirë lotët.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-Ukrainë, pro Policisë së Moskës      


Video