EKSKLUZIVE / Mark Marku i penduar thellë që la mandatin e deputetit!

2 February 2022, 19:09Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EKSKLUZIVE / Mark Marku i penduar thellë që la mandatin e deputetit!
Ish-deputeti Mark Marku

LEZHË – RRËSHEN – TIRANË / Vjen vërdallë si hije nëpër rrugët e Lezhës, Rrëshenit dhe Tiranës, kafshon thonjtë nga nervozizmi, çjerr faqet dhe mërmërit i inatosur me gjithë dynjanë: “Pse nuk prita dhe dy javë!”
Një raport konfidencial për Patronazhistin bën me dije se pothuaj-deputeti i PD-së Mark Marku, intelektuali luftarak që jep mësim në fakultetin e Gazetarisë kur është i qetë, dhe u hakërrehet bashkëbiseduesve nëpër studio televizive, “hajde dalim jashtë tek për tek po ta mbajti, qelbësirë, mut muti”, kur debaton për politikë, ka disa muaj që është në një krizë të thellë identiteti.

Historia nis në fund të Gushtit 2021, më sak në datën 27, kur ai shpalli braktisjen e mandatit të sapofituar të deputetit të PD-së për Lezhën, duke akuzuar Partinë Demokratike se ndodhet ende nën hyqmin e Sali Berishës, dhe kryetarin Lul Basha se ka mbetur një kukull e Doktorit, edhe pse me letra ka 8 vite që është në krye të partisë.
“Kjo parti nuk ka asnjë shpresë,” deklaroi atëhere Marku. Dhe dy javë më vonë, me 9 shtator, Luli deklaroi se e përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar i PD-së sepse nuk e donte Amerika!

Markut kjo i ra si bombë. Në fillim ç’është e vërteta u gëzua, se mendoi që Anton Blinkeni, sekretari amerikan i Shtetit, me origjinë të largët mirditore, e shpalli non-grata Saliun pasi mori vesh protestën e Markut. Priste që Luli ta merrte në telefon dhe t’i thoshte, “kthehu mjeshtër, se e rregulluam atë punë. E dëbuam doktorin”.
Por ditët kalonin dhe asnjë ftesë nuk erdhi. As shoku i tij profesor Gjekmarkaj, që e shtyu të dorëzonte mandatin e deputetit duke i thënë, “menjëherë pas teje do largohem dhe unë. Nuk rrihet me ata derra!”, nuk po ndihej. Gjekja jo vetëm që qëndroi deputet, por tani së fundi u bë edhe nënkryetar i parlamentit dhe nënkryetar partie.

Marku i ndoqi të gjitha zhvillimet e vjeshtës dhe dimrit, me Foltore dhe kundra-Foltore, me sulmin kundër kullës së Bajraktarit të ri Basha dhe mbrojtjen që ky organizoi ndaj agresorit, me shpresën se dikush do ta thirrte. Ndërkohë përpiqej të kuptonte a dinte gjë ndokush nga shokët për përplasjen e fshehtë të Saliut me Lulin.
Gjekmarkaj i tha me pafajësinë që e karakterizon: “Jo për shna Ndoin! Pse o shoku, s’do të kisha thënë unë?”
Gaz Bardhi e siguroi: “Nuk flet Luli për këto gjëra, edhe unë si sekretar i përgjithshëm rri me të deri natën vonë. U nxitove!”
Grida i tha: “Indeksi i posibilitetit që unë si femër në politikë të posedoja indicie paraprake mbi një kurs të kundshëm kolizioni mes kryetarit të ri dhe atij plakut pa frena, i afrohet zeros absolute”.

Patronazhisti mëson se e vetmja ftesë që i ka ardhur Markut, është nga Berisha. Pas një deklarimi publik që Doktori bëri nga Rrësheni, ku i tha Markut në distancë, “e kuptove që më akuzove kot? Unë isha disidencë brenda PD-së kundra regjimit obskurantist të Lul oligarkut”, ai i ka çuar dhe një ftesë private.
“Dil dhe një herë o Mark! Akuzoje Lulin se megjithëse shtiret si pro-amerikan, ai është në fakt pro-sovjetik dhe pro-kinez, me simpati të forta indiane. Po e bëre, të jap fjalën se kur të marr pushtetin do të të bëj kryetar të Akademisë së Shkencave! Dhe e bëj vetëm për ty, se ta dish që ja kisha premtuar Stresit!”

Ndërkohë Marku gjezdis rrugëve nga ta çojnë këmbët, duke mërmëritur, “vetëm dy javë! Si nuk durova edhe dy javë…”

*VINI RE: Patronazhisti është rubrikë satirike, domethënë artikujt e saj janë jo dhe aq larg të vërtetës


Video