KUSHTETUESJA / Ekspertiza: Gjurmët mbi Kushtetutë nuk përkojnë me këpucët e Presidentit

17 February 2022, 13:37Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KUSHTETUESJA / Ekspertiza: Gjurmët mbi Kushtetutë nuk
Foto ilustruese

TIRANË – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi të enjten me shumicë votash që Presidenti Imir Leta nuk e ka shkelur kushtetutën, njoftojnë burimet për Patronazhistin. I vetmi gjykatës që votoi kundër pafajësisë presidenciale, është një jurist anonim që rubrika nuk ka arritur ta marrë nën patronazh.

Vendimi që shastisi shumëkënd – pasi besohej gjerësisht se Presidenti në fakt e kishte shkelur Kushtetutën – u pasua me një arsyetim të hollësishëm kriminologjik nga policia shkencore kushtetuese.

Në raportin bashkëngjitur vendimit, vihet re se mbi trupin e kushtetutës janë vënë re realisht gjurmë të shumta këmbësh të zbathura, pantoflash, këpucë lustrafin burrash, gjurmë kambalesh, çizmesh, madje dhe konture të qarta këpucësh me taka të holla – pra këpucë femrash – që sipas ekspertizës, mund të kenë kushtuar secila palë nga 500 deri në 25 mijë euro.

“Si raste të veçanta, kemi dalluar mbi Kushtetutë gjurmë galloshesh me gjysmë qafë, nga ato që veshin fshatarët për të dalë në arë pasi ka rënë shi. Por akoma më pikant është rasti i shkeljes së Kushtetutës nga një palë këpucë femrash Loubotin, që kushtojnë 24.500 euro pa TVSH,” thekson raporti kriminologjik.

Ndërkaq, kërkimi ngulmues i gjurmëve të këmbëve  - ose këpucëve të Imir Letës – mbi trupin e leqendisur të Kushtetutës, ka zbuluar edhe moment bizarre.

Kështu, raporti nxjerr mënjanë disa gjurmë të çuditshme që nuk kanë lidhje me këmbët.

“Nga këqyrja e vendngjarjes, duket sikur ajo pjesë e Kushtetutës – konkretisht sektori që flet për pavarësinë e gjyqësorit - jo thjesht është shkelur, por aty janë përleshur disa persona bashkë, gjinia e të cilëve mbetet e papërcaktuar. Zona është e sakatuar, duket sikur aty janë mbështetur e rrokullisur gjunj, bërryla, shalë, prapanica, kurrize… Është e pamundur të identifikohet nëse bëhet fjalë për përleshje, apo për marrëdhënie të nxehta afektive,” pranon raporti.

Gjithsesi, pas shumë eksperimenteve krahasimore që deshën netë pa gjumë dhe stafe të tëra kriminologësh, ishte e pamundur që ndonjë nga gjurmët e vjetra dhe të reja të gjetur mbi Kushtetutë, të verifikohej se i përkiste kreut aktual të shtetit.

“Në këto kushte, Presidenti nuk mund të shkarkohet,” thotë raporti, “megjithë rezervat që mund të ketë krijuar ndonjë prej gjykatësve. Për shembull, në një cep kushtetutor u zbuluan gjurmë që lënë të kuptohet se aty është mbështetur ndonjë vandak me cfurqe, shata, lopata, hostenë, kamzhikë, zile bagëtish dhe objekte të tjera rurale, përfshirë dhe dy dybekë tejet të përdorur. Por kaq nuk mjafton. Sa vetë mund t’u kenë rënë atyre dybekëve, duke filluar nga viti 1998 e deri tani, aq të mira qofshin!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Domethënë, që i bie dybekut herë pas here.    


Video