Një javë pas fitores së opozitës në zgjedhjet parlamentare në Serbi, është arrestuar Marko Kriçak, kreu i Policisë Kriminale serbe, me urdhër të Prokurorisë.
Ai dhe zëvendësi i tij, Bosko Sekuloviç, akuzohen për shpërdorim detyre, raportojnë mediat serbe, duke iu referuar agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug.
Në zgjedhjet e së dielës së kaluar, lista e opozitës e mbështetur nga studentët fitoi shumicën e vendeve në parlament, duke lënë në opozitë koalicionin qeverisës të drejtuar prej vitesh nga Aleksandar Vuçiç.
Edhe pse ndryshimi i qeverisë nuk është realizuar ende, arrestimi i një prej zyrtarëve të lartë të policisë shihet si një zhvillim i rëndësishëm, pasi Kriçak konsiderohej një nga njerëzit më të afërt të Vuçiçit në radhët e policisë.
Sipas Prokurorisë, Kriçak dyshohet se ka penguar dhe manipuluar hetimet për një vrasje të lidhur me mafien. Ai akuzohet se ka ndërhyrë në provat e çështjes, me qëllim që të rrëzoheshin akuzat për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Nga shitës makinash në drejtues të Policisë Kriminale
Karriera e Kriçakut në strukturat shtetërore nisi pasi ai punonte si shitës makinash. Më pas, ai u rekrutua në Agjencinë e Inteligjencës të Serbisë (BIA), ku raportohet se u afrua me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiçit.
Në korrik të vitit 2023, ai mori drejtimin e Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO), ndërsa në fund të vitit 2025 u emërua në krye të Policisë Kriminale serbe.
Përveç manipulimit të dyshuar të hetimeve, Prokuroria e akuzon edhe për keqtrajtim dhe intimidim të protestuesve paqësorë.
Një prej episodeve të përmendura lidhet me gushtin e vitit 2025, kur efektivë të JZO-së tërhoqën zvarrë një grup studentësh dhe i dërguan në bodrumin e godinës së qeverisë në Beograd.
Kriçak, i cili në atë kohë drejtonte këtë njësi, dyshohet se ka udhëhequr personalisht operacionin, ka goditur një studente dhe e ka kërcënuar se do e përdhunonte.