Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati i njohur, Bashkim Zeneli

30 October 2026, 11:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati i njohur,
Bashkim Zeneli

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, ish-deputeti dhe publicisti Bashkim Zeneli. Ai ka ndërruar jetë në një spital jashtë vendit.

Zeneli ka qenë gazetar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ambasador i vendit tonë në Gjermani dhe Greqi. Ai ishte gjithashtu një nga intelektualët e hershëm të Partisë Socialiste, duke kontribuar në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Gjatë karrierës së tij diplomatike, ai dha një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë. Përmes shkrimeve dhe kujtimeve të tij, Zeneli la gjithashtu dëshmi me vlerë për historinë e diplomacisë shqiptare.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Ilir Meta i akordoi Zenelit titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tij të veçantë dhe të spikatur në fushën e politikës së jashtme, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasador në vende të rëndësishme si dhe për përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

“Angazhimi i tij si ambasador në Gjermani gjatë krizës së Kosovës do të mbetet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në shërbim të kësaj çështje madhore”, do të shprehej Meta, duke vlerësuar kontributin e Zenelit.


Video