
Unioni Evropian i Transmetuesve EBU, që organizon Eurovizion, tha të enjten se kishte identifikuar parregullsi votimi në gjashtë vende që morën pjesë në Eurovizionin 2022, duke përfshirë Malin e Zi, Rumaninë dhe Poloninë.
Ai tha se "modele të parregullta votimi" u vunë re gjithashtu në Azerbajxhan, Gjeorgji dhe San Marino pas provave të dyta dhe gjysmëfinales së dytë të spektaklit.
“Katër nga gjashtë juritë vendosën pesë nga vendet e tjera në pesëshen e tyre të parë, duke marrë parasysh se nuk mund të votonin për veten e tyre. Një juri votoi për të njëjtat pesë vende në gjashtë vendet e para dhe e fundit nga gjashtë juritë vendosi katër nga të tjerat në katër të parat… Katër nga gjashtë morën të paktën një grup prej 12 pikësh që është maksimumi që mund të jepet”, tha EBU në një deklaratë për shtyp.
"Një parregullsi e modelit të votimit të jurisë në një shkallë të tillë është e paprecedentë”, vijoi deklarata.
Më 15 maj, EBU shpalli të pavlefshme votat e gjashtë jurive pasi u zbuluan "modele votimi të parregullta" në gjysmëfinalen e dytë dhe i zëvendësoi ato me një rezultat të përmbledhur zëvendësues. Ai vendosi që votat e gjashtë jurive në finalen e madhe të ishin të pavlefshme.
Mali i Zi kërkoi sqarime nga EBU se pse vota e jurisë u hoq nga konkursi.
“Votimi i jurisë malazeze u krye normalisht dhe u certifikua siç duhet nga EBU dhe ne nuk shohim asnjë arsye për të dyshuar për ndonjë formë të parregullsisë. Mënyra se si votoi juria jonë është kryesisht në përputhje me rezultatet përfundimtare të konkursit", thuhej në deklaratë.
Më 16 maj, televizioni rumun tha se ishte i befasuar që rezultati i votimit të jurisë rumune nuk u përfshi në renditjen përfundimtare, me organizatorët që caktuan një grup tjetër pikësh për konkurrentët në finale, në emër të jurisë së vendit.
Transmetuesi polak TVP iu përgjigj përjashtimit të votës së jurisë së Polonisë, duke mohuar çdo përfshirje në manipulimin e votave qoftë nga transmetuesi apo juria polake.