Të ftuara sot në “Rudina” në Tv Klan, dy partneret Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara kanë rrëfyer historinë e tyre të dashurisë. Ato tregojnë se si nisën ndjenjat e tyre të para që më pas e kurorëzuan në një marrëdhënie 12-vjeçare. Të njohura në një festë nga një mik i përbashkët, për to ka qenë dashuri me shikim të parë, emocionet e së cilës Eda i rrëfen njësoj sikur gjithçka të kishte ndodhur dje.
Rudina Magjistari: Ndërkohë me njëra-tjetrën keni gati 12 vite?
Alba Ahmetaj: Po, që në 2010.
Rudina Magjistari: Jeni njohur në një festë rrëfyem ne shkurtimisht, por si ka ndodhur në fakt?
Edlira Mara: Jemi njohur në një festë bashkë me Albën. Takimi ka qenë nëpërmjet një mikut tonë të përbashkët. Në fakt unë sa kam parë Albën ka qenë shkëndijë. Nuk e kam besuar pjesën e shkëndijës, por vërtet që para 12 viteve dhe sot e tre muajve ka ndodhur kjo. Albën e mbaj mend sikur ta kem përballë tani, me atë këmishën e bardhë, xhinset, takat, mënyrën se si më shikonte dhe se si e shikoja dhe unë. Kemi biseduar në atë ritmin e lartë të muzikës, unë që afrohesha të bisedoja pak me të sepse nuk dëgjohej ajo që thoja. Alba më afronte veshin, flokët e saj që binin tek unë, kaçurrelat…
Rudina Magjistari: Do të shkruash një libër më duket, se si një shkrimtare po e rrëfen të gjithën.
Edlira Mara: Kam pasur shumë emocione dhe kur jam kthyer në shtëpi, mesazhi i parë që unë kam marrë nga Alba ka qenë…kaçurrelave të mia po iu mungon që tani.
Alba: Prindërit nuk e pranuan kurrë marrëdhënien tonë
Për Albën, teksa i rikthehet momentit kur e ka kuptuar disi veten, ka qenë një dashuri platonike në moshën 10-vjeçare me një infermiere. Por vetëm 15 vite më vonë, kur ishte 25 vjeçe, ajo do t’ia pranonte vetes identitetin e saj të vërtetë. Hapi i madh për ta bërë këtë me të tjerët do të ishte një proces më vete, po aq i gjatë.
Rudina Magjistari: Kur e more guximin, hapin për ta ndarë me familjen?
Alba Ahmetaj: Për ta ndarë me familjen shumë vite më vonë. Ka ndodhur kur kam qenë diku te 33 vjeç, kështu që kanë kaluar shumë vite. Kam qenë në një lidhje me Edën kur mora guximin sepse nuk mund t’i gënjeja sepse e ke parasysh, duhet të shkosh në shtëpi, t’iu thuash prindërve që “kjo është shoqja ime e ngushtë”, nuk mund t’iu thuash që “kjo është dashuria e jetës time” apo që do të krijosh familje, pavarësisht se atëherë krijimi i familjes me fëmijë, gjithmonë, ka qenë thjesht një ëndërr, por është e vështirë.
Rudina Magjistari: Dhe si reaguan ata?
Nuk e pritën mirë. Prindërit e mi kanë këtë fiksimin me “çfarë do thotë bota?” dhe ajo na ka dëmtuar shumë sepse ka ndikuar në marrëdhënien tonë gjithmonë, fakti që nuk e pranuan dot marrëdhënien time me Edën asnjëherë. Një periudhë kohe nuk folëm, por më pas u rilidhëm, tani kemi marrëdhënie, por Eda nuk është pjesë e asaj marrëdhënieje dhe mua kjo gjë më vret shumë.
Rudina Magjistari: Pra nuk arrijnë dot ta pranojnë, nuk e bëjnë dot këtë hap?
Alba Ahmetaj: Jo, është shumë e vështirë.

Alba dhe Eda: Mjeku refuzoi fertilizimin ‘in vitro’ kur e kuptoi se ishim çift
Alba dhe Eda treguan edhe se si e morën vendimin për t’u bërë nëna të një fëmije. Ato treguan se kjo kishte qenë një dëshirë që në fillimet e lidhjes së tyre, por kishin hasur vështirësi pasi ligji nuk i lejon çiftet me gjini të njëjtë të kenë fëmijë. Alba tregon përvojën e hidhur që patën kur kërkesa e partneres së saj Eda, e cila u paraqit si nënë e vetme, u refuzua nga një mjek shqiptar.
Alba Ahmetaj: Në fakt ne këtë gjë e kemi dashur gati që në fillimet tona, por na dukej shumë e vështirë, gati e pamundur. Rezultoi e vështirë, por jo e pamundur. Në momentin që vendosëm se do e bënim i hymë studimeve. Patëm një incident të vogël në një nga këto klinikat private ku shkuam thjesht të informoheshim, Eda u prezantua se donte të ishte nënë e vetme dhe ndoshta doktori e kuptoi që ishim çift, pasi na tha se nuk mund ta bënim sepse ligji nuk e lejonte. Ai ishte një zhgënjim shumë i fortë. Madje nxori justifikimin se nëse ndodh diçka, familjet me gjini të njëjtë do të abuzojnë me këtë gjë.
Ato tregojnë se nuk u dorëzuan deri sa e realizuan dëshirën e tyre për të qenë nëna, pavarësisht se fillimisht e mendonin të pamundur një gjë të tillë. Eda tregon se për të bërë të mundur dëshirën e tyre shkuan në një tjetër klinikë, ku nuk u prezantuan si çift dhe ku kryen procedurën “in vitro”. Gjithçka shkoi mirë dhe tashmë ato janë nëna të dy vajzave.
Edlira Mara: Në atë kohë po punoja në një punë tjetër dhe fillova duke studiuar të gjitha spitalet private ku mund të kryeja “in vitro”. Shkuam atje bashkë me Albën, nuk u prezantuam si çift, thjesht morëm informacione mbi “in vitron”. Ka shkuar çdo gjë shumë mirë që nga dita e parë që kemi shkelur në atë spital. Procedura e “in vitros” ishte shumë normale për mua dhe pjesa e shtatzënisë ka shkuar shumë normal. U ndjemë shumë mirë të dyja në të gjithë procedurën e ‘in vitros’, procedurën e shtatzënisë dhe të lindjes së vajzave.