Anna Oxa i jep lamtumirën Pippo Baudos: Një urë mes brezash, gjuhësh dhe ëndrrash

17 August 2025, 15:42Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Anna Oxa i jep lamtumirën Pippo Baudos: Një urë mes brezash,
Anna Oxa dhe Pippo Baudo

Këngëtarja italiane me origjinë shqiptare Anna Oxa ka reaguar lidhur me lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të gazetarit legjendar Pippo Baudo.

Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Oxa i kushton Baudos disa rreshta, duke kujtuar dhe një nga momentet kur Baudo erdhi në “Këngën Magjike” në Shqipëri.

“…prania e tij ishte më shumë se një paraqitje: ishte një urë.

Një urë mes brezash, mes gjuhësh, mes ëndrrash.” shkruan Oxa.

Artistja, e njohur për zërin dhe stilin e saj të veçantë, thekson ndikimin që ka pasur Baudo në jetën e shumë këngëtarëve, përfshirë edhe vetë atë, që sipas dedikimit shpërtheu si një “kometë rebele” në skenën italiane të muzikës.

Dedikimi i këngëtares për Baudon

Në teatrin e kohës, aty ku dritat ndizen,

u shfaq Pippo Baudo, mjeshtër i skenës,

i cili nuk prezantoi thjesht artistë — por i dëgjoi, i kuptoi,

dhe i bëri të lulëzojnë nën diellin e zërit të tij.

 

Që nga netët e Sanremos, kur Anna Oxa shpërthente si një kometë rebele,

me atë timbër që sfidonte rregullat dhe të ledhatonte zemrën,

e deri në brigjet e Adriatikut, ku Shqipëria e priti si një mik të vjetër,

Baudo e solli me vete respektin për artin,

ashtu siç mban një trëndafil pa ia thyer kërcellin.

Në vitin 2014, në festivalin “Kënga Magjike”,

prania e tij ishte më shumë se një paraqitje: ishte një urë.

Një urë mes brezash, mes gjuhësh, mes ëndrrash.

Anna Oxa, bijë e dy botëve, këndoi me intensitetin e dikujt që njeh kufirin

dhe e kthen atë në këngë.

 

Dhe Pippo, me vështrimin e atij që ka parë të lindin mijëra zëra,

e përshëndeti atë skenë siç përshëndetet një dashuri e vjetër:

me mirënjohje, me elegancë, me bindjen

se arti nuk ka atdhe, por vetëm zemra që e strehojnë.

Për ty Pippo

Pippo Baudo ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, mbrëmjen e së shtunës në Romë. Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, i cili njihej thjesht si Pippo ishte “zotëria” i televizionit italian. Mjeshtri i prezantuesve televizivë. Autor programesh, zbulues artistësh, këngëtarësh, aktorësh. Një njeri spektakli, ‘showman’, autor, aktor, orator, një multidimensional.

Pippo Baudo punoi për televizionin publik thuajse përgjatë gjithë karrierës së tij.


Video