Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale nga burgu i Fierit, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e kritikuar për atë që e cilëson si përpjekje për ta izoluar dhe shantazhuar.
Në reagimin e tij, Veliaj shprehet se kryeministrit duhet t’i vijë turp që merret personalisht me çështje që ai i konsideron si internime.
Ai thekson se nuk do të përkulet dhe as do të intimidohet, edhe nëse do ta transferojnë në burgun e Spaçit.
Veliaj ka mohuar gjithashtu të ketë organizuar apo financuar protestat e grupimit të njohur si "Flamingot" dhe ato të studentëve, duke i cilësuar këto akuza si "gjepura të kohës së Enver Hoxhës".
Sipas tij, pretendimet për ekzistencën e një "armiku të brendshëm" tregojnë gjendjen në të cilën, sipas tij, është katandisur shteti.
“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve - këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm”, thotë Veliaj