
Gjashtë kandidatë me origjinë shqiptare garuan në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, por vetëm njëri prej tyre arriti të sigurojë fitoren.
Joe Hoxha, republikan në Konektikat, u rizgjodh për një mandat të tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të këtij shteti.
Ndërkohë, Diamant Hysenaj humbi garën për Kongresin amerikan në Nju Jork, përballë demokrates Alexandria Ocasio-Cortez.
Në zgjedhjet për distriktin e 14-të të Nju Jorkut, që përfshin zona të Bronx-it dhe Queens-it, AOC siguroi 78.7% të votave, ndërsa Hysenaj mori 21.5%.
Ky rezultat forcon pozitat e Ocasio-Cortez si një prej figurave më të njohura të krahut progresist të demokratëve. Ndërkohë, emri i saj po përmendet gjithnjë e më shumë si një kandidate e mundshme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Humbje pësuan gjithashtu Peter Lumaj dhe Shpëtim Qorraj në garat në Konektikat dhe Nju Jork, si dhe Alma Sarelli në garën për Senatin e Konektikatit.
Edlira Sako, shqiptarja nga Lushnja, kandidoi për Partinë Demokratike në Senatin e shtetit të Miçiganit, në Distriktin 24.
Ajo u përball me republikanin Douglas Wozniak. Megjithatë, projeksionet e nxjerrin me vetëm 30% të votave, kundrejt 70% të rivalit republikan.