Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos prezantoi sot më 4 nëntor raportin e progresit për Shqipërinë dhe vendet e tjera, që aspirojnë të integrohen në Bashkimin europian.
Kos tha se do të nisë dialogu për integrim gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate. Ajo theksoi se vendi i parë në rrugën drejt BE-së është Mali i Zi, për të cilin vuri në dukje se do të integrohet në vitin 2028.
“Do të nisim një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate. Sot jemi në kushtet që mund të zgjerojmë Unionin. Vendi i parë që është në rrugën drejt integrimit është Mali i Zi. Vendet kandidate duam që të jenë ne nivelin e duhur, për integrimin. Mali i Zi do të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2028”, tha Kos.
Për Shqipërinë, tha se vendi ka bërë reforma në këtë vit. Kos shtoi se Tirana zyrtare duhet që të vijojë me reformat e nisura.
“Sa i përket Shqipërisë, ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të Themeloreve.
Që prej asaj kohe, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë. Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ajo
Më tej, foli edhe për vendet e tjera, se në çfarë faze janë ato drejt integrimit europian.
“Moldavia ka një qeveri pro-europiane sot. Qeveria ka ecur në rrugën drejt integrimit, pavarësisht se ka pasur përpjekje për të destabilizuar vendin. Ka shumë punë për të bërë, gjithsesi. Moldavia mund të mbyllë kapitujt në fund të vitit 2028, nëse vijon me reformat. Për Ukrainën, nuk ka vend tjetër që po bën më shumë se ky shtet, edhe pse ndodhet në luftë. Vazhdoni që të bëni hapa drejt Bashkimit Europian, pavarësisht se keni një rrugë të vështirë. Ukraina ka demonstruar se institucionet e saj antikorrupsion po funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe efektive. Ukraina duhet të përqendrohet në disa reforma, që kanë të bëjnë me pavarësinë e drejtësisë dhe të tjera. IBAR për Ukrainën mund të arrihet dhe ky vend mund të bëjë përpara që në këtë vit.
Maqedonia e Veriut duhet të tregojë rezultate edhe më tej. Shkupi duhet të bëjë ndryshime kushtetuese. Vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën europiane. Gjithçka varet nga ajo që bën Maqedonia e Veriut. Bosnja dhe Herzegovina po rrit angazhimin e saj në rrugën drejt BE-së, problem është rritja e retorikës anti-BE, Bosnja duhet që të vazhdojë punën me reforma”, deklaroi komisionerja Kos.