Zyrtare/ Serbia i dërgon kërkesë KFOR-it për të futur ushtrinë në Kosovë

15 December 2022, 21:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zyrtare/ Serbia i dërgon kërkesë KFOR-it për të futur
Aleksandër Vuçiç

Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë.

Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Presidenti serb ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.

Ai ka bërë të ditur se ajo do t'i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

 “Kërkesa është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së për kthimin e një numri të caktuar nga qindra në një mijë në Republikën e Kosovës. Vendimi është marrë unanimisht me respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, sqaroi Vuçiç, i cili mori pjesë në seancën e Qeverisë me ftesë të kryeministres.

Vuçiq tha për RTS se në këtë moment do të ishte e rëndësishme që forcat e sigurisë serbe të kthehen për mbrojtjen e popullatës serbe dhe mbi të gjitha për atë që parashikohet në Rezolutën 1244 të OKB-së, që është kontrolli në vendkalime.

“Do të ishte një vendim i mirë. Por, në bazë të të gjitha deklaratave të deritanishme jemi pothuajse të sigurt se nuk do të pranohet, por presim të shohim”, tha ai.

Vuçiç nënvizoi se kjo është hera e parë që një qeveri serbe merr një vendim të tillë, me iniciativën e tij.

Vuçiç tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të BE-së.

“Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenët shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiç.


Video