
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, theksuan të martën urgjencën gjeostrategjike të anëtarësimit të vendeve kandidate gjatë Konferencës së Ambasadorëve të BE-së 2026.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian, sipas tyre, nuk është më thjesht një proces burokratik i tejzgjatur, por një domosdoshmëri emergjente e diktuar nga interesat e sigurisë dhe gjeopolitikës. Ky ishte mesazhi i unifikuar dhe i prerë i dy prej drejtuesve më të lartë të Bashkimit Evropian drejtuar trupës diplomatike gjatë Konferencës së Ambasadorëve të BE-së për vitin 2026.
Udhëheqësit e institucioneve evropiane bënë thirrje për një qasje të re, e cila kombinon parimin e vlerësimit bazuar në meritë, me nevojën për të vepruar shpejt për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë.
Costa: Investimi më i mirë gjeostrategjik i Evropës
Për Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, afrimi i vendeve kandidate është kthyer në një nga prioritetet absolute të mandatit të tij. Ai theksoi se lufta në Ukrainë dhe aplikimi i saj për anëtarësim kanë injektuar një dinamikë të re, e cila duhet shfrytëzuar pa humbur kohë edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke theksuar rëndësinë e këtij momenti historik, Costa deklaroi:
“Bashkimi Evropian është një projekt pajtimi dhe paqeje. Këto vlera janë të lidhura ngushtë me zgjerimin, duke e bërë atë investimin më të mirë gjeostrategjik që mund të bëjmë për të ardhmen tonë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Duhet të respektojmë parimin e meritës, por edhe të veprojmë me ndjenjën e urgjencës.”
Sipas Costës, e ardhmja e partnerëve ballkanikë dhe atyre lindorë është pa asnjë ekuivok brenda BE-së, pasi kjo forcon drejtpërdrejt demokracinë dhe shtetin e së drejtës në kontinent.
Von der Leyen: Siguria përballë ideologjisë
Në të njëjtën linjë strategjike, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i dha një ton edhe më pragmatik çështjes së anëtarësimit. Sipas saj, arkitektura e re e sigurisë në Evropë kërkon që vendet kandidate të afrohen de facto me unionin që tani, pa pritur aktin formal të anëtarësimit të plotë.
“Është me rëndësi thelbësore që të përgatitemi – duke i afruar që tani Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën me Bashkimin Evropian. Zgjerimi nuk është çështje ideologjie – është çështje interesi të përbashkët evropian dhe sigurie. Dhe ne duhet të jemi gati të veprojmë sapo të vijë momenti,” theksoi shefja e ekzekutivit evropian.