Ka dështuar për herë të nëntë seanca për Konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, ka propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet i fshehtë.
Kjo është kundërshtuar nga të gjitha grupet parlmentare, përveç LVV-së.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për shndërrimin e kuvendit të Kosovës në një cirk. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes Hykmete Bajrami, refuzoi pjesëmarrjen në votimin e fshehtë, ndërsa paralajmëroi edhe dërgimin e procedurave të ndjekura në seancë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa e Deharit është kundërshtuar edhe nga AAK-ja si dhe Lista Srpska. Megjithatë edhe kjo seancë përfundoi në dështim. Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Madje në seancë nuk u miratua as përbërja e anëtarëve të komisionit verifikues.