
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky thotë se dy ushtarë kinezë janë kapur gjatë luftimeve në Ukrainën lindore.
Ai tha se forcat e tij u ndeshën me gjashtë ushtarë kinezë dhe dy prej tyre u zunë rob. Ai shtoi se kishte urdhëruar zyrtarët që të merrnin një shpjegim nga Pekini lidhur me prezencën e tyre.
"Ne kemi informacione se ka shumë më tepër shtetas kinezë në njësitë e pushtuesit sesa vetëm dy. Tani po i zbulojmë të gjitha faktet", shtoi ai.
Kina është aleate e Rusisë dhe është akuzuar se ka ndihmuar luftën e saj në Ukrainë, megjithëse Pekini i ka mohuar vazhdimisht akuzat se ka furnizuar forcat e Kremlinit me armë.
"Përfshirja e Kinës në këtë luftë në Evropë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, është një sinjal i qartë se Putini do të bëjë gjithçka, përveçse t'i japë fund luftës/ Ai po kërkon mënyra për të vazhduar luftën”, tha Zelensky.
Zelensky tha se kjo tregon përfshirjen e Kinës në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe tha se priste që SHBA të reagonte.
Luftëtarë të kombësive të ndryshme i janë bashkuar ushtrisë ruse gjatë luftës, shpesh në këmbim të premtimeve për shuma të mëdha parash. Megjithatë, kjo nuk përfaqëson ndërhyrje zyrtare nga vendet e tyre të origjinës.
Koreja e Veriut ka dërguar gjithashtu mijëra trupa të saj për të mbështetur Rusinë, por sipas raportimeve, ata kanë luftuar vetëm brenda territorit rus të pushtuar nga Ukraina.