Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski ka apeluar shtetet perëndimore për ndihmë ushtarake, duke thënë se vendi i tij mund të mos i mbijetojë një sulmi të madh që Rusia po përgatit ta kryejë në muajin maj ose qershor.
Në një intervistë për CBS News, Zelenski tha se forcat ukrainase arritën të frenojne rusët gjatë muajve të dimrit dhe të “stabilizojë situatën”. Megjithatë, Ukraina nuk është gati të mbrohet kundër një sulmi tjetër të madh.
Zelenski u takua me gazetarët në rajonin Sumy, zonat kufitare nën bombardimin e vazhdueshëm të forcave ruse.
"Zakonisht, kur ata sulmojnë me artileri dhe shkatërrojnë fshatra, pas kësaj, ata gjithmonë përpiqen t'i pushtojnë. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër. Prandaj duhet të përgatitemi," tha Zelenski.
Ai tha se nëse Ukraina nuk qëndron, Kazakistani do të jetë i radhës, pastaj shtetet baltike, Polonia dhe Gjermania, “të paktën gjysma e Gjermanisë”. Prandaj, Zelensky u bëri thirrje partnerëve perëndimorë që t'i ofrojnë Ukrainës më shumë sisteme raketore Patriot dhe artileri.
“Le të jemi të sinqertë, paratë që përvetëson Kongresi, administrata, në shumicën e rasteve, 80% e atyre parave, mirë, të paktën më shumë se 75%, qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara. Ato municione po vijnë tek ne, por prodhimi ndodh atje, dhe paratë qëndrojnë në SHBA, dhe taksat qëndrojnë në SHBA," tha ai.
Zelenski tha se lufta në Gaza ka reduktuar vëmendjen ndaj luftës në Ukrainë dhe Putini po e përdor në mënyrë aktive atë. Megjithatë, ky nuk është mjeti i vetëm i Putin. Sipas tij, Putini po përdor sulmin terrorist në Sallën e qytetit Crocus në një përpjekje për të bashkuar shoqërinë ruse dhe “të justifikojë se Ukraina nuk ekziston”.