
Policia greke ka zbardhur vrasjen e profesorit polak Przemyslaw Jeziorski më 4 korrik në Athinë të Greqisë. Të përfshirë në këtë ngjarje janë 5 persona, ish-gruaja e profesorit, partneri i saj, dy shqiptarë dhe një bullgar. Shqiptari i arrestuar është Andrea Sherri, 24 vjeç dhe shqiptari tjetër një 16-vjeçar.
Sipas autoriteteve, plani dyshohet se u krijua pas një vendimi gjykate që i lejoi profesorit të merrte fëmijët e tij jashtë vendit. Profesori polak kishte ngritur më parë një padi kundër partnerit aktual të ish-gruas së tij për kërcënime dhe dëmtime fizike, duke raportuar incidente specifike dhune. Autori i vrasjes, gjatë rrëfimit të tij në polici, është përpjekur të marrë të gjithë përgjegjësinë mbi vete, megjithatë, provat përshkruajnë një veprim të organizuar me dijeninë dhe bashkëpunimin e 35-vjeçares
Ai rekrutoi tre bashkëpunëtorë, dy shqiptarë dhe një bullgar, duke u thënë atyre: "Duam të shkojmë diku për të rrahur dikë që po më shqetëson të dashurën". Ata përdorën një Porsche Cayenne me qira, me të cilën ndoqën 43-vjeçarin nga momenti që ishte në Haidari ku u takua me ish-gruan dhe fëmijët e tyre, deri në Shën Paraskevi ku u organizua komploti i vrasjes. Automjeti i marrë me qira u gjurmua nga policia nëpërmjet kompanisë së qirasë, që e çoi policinë tek dy shqiptarët.
Menjëherë pas vrasjes, autori dyshohet se braktisi bashkëpunëtorët e tij dhe hipi në një taksi me destinacion Nafplion, duke u përpjekur të fshihej. Në të njëjtën kohë, ai ia kishte dhënë telefonin celular dhe çelësat e makinës një personi tjetër, me qëllim që të krijonte një alibi të rreme se gjoja ndodhej në Argolidë dhe jo në vendin e krimit.
Sa i përket ish-gruas së profesorit, ajo dyshohet se është përpjekur të fshehë të gjitha gjurmët. Menjëherë pas vrasjes, ajo ka fikur telefonin dhe fshirë të gjitha të dhënat. Megjithatë, policia gjeti një foto të viktimës në telefonin e saj, të bërë nga pas, ditën e vrasjes, që tregonte saktësisht se çfarë kishte veshur - një fakt që, sipas autoriteteve, dokumenton rolin e saj në përgatitjen e krimit.
Në të njëjtën kohë, megjithëse telefoni i vrasësit të rrëfyer nuk është gjetur, hetimet zbuluan se komunikimet e tij me ish-gruan e tij u bënë nëpërmjet aplikacionit të koduar Signal, duke përdorur një numër që i përkiste djalit të saj. Të gjitha këto prova forcojnë bindjen e autoriteteve se kjo ishte një vrasje e paramenduar, me përfshirjen e qartë të më shumë se një personi. Katër burrat tashmë kanë rrëfyer, ndërsa gruaja mohon çdo përfshirje. Çështja është referuar në gjykatë, me akuza që përfshin vrasje me dashje, nxitje dhe bashkëpunim në vrasje.