
Delegacionet ukrainase dhe ruse filluan një raund të katërt bisedimesh për paqen të hënën, një ditë pasi Rusia kreu një sulm vdekjeprurës me raketa ndaj një baze ushtarake ukrainase që gjendet vetëm 25 kilometra nga Polonia, vend anëtar i NATO-s. Të paktën 35 persona u vranë dhe 134 u plagosën në sulmin ndaj Qendrës Ndërkombëtare për Paqeruajtjen dhe Sigurinë.
Bisedimet e paqes të së hënës u zhvilluan ndërsa një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se "avancimi i Rusisë vazhdon të ketë ngecur" në territorin ukrainas. Ai konfirmoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë më trajnime për ushtrinë ukrainase që kur anëtarët e Gardës Kombëtare të Floridës u larguan me fillimin e luftës. Zyrtari shtoi se baza që u godit nga forcat ruse nuk është përdorur për të dërguar asistencë sigurie për ushtrinë ukrainase dhe për rrjedhojë sulmi nuk ka ndikuar tek asistenca amerikane.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se bisedimet filluan rreth mesditës të së hënës. Këshilltari i presidentit Mykhailo Podolyak tha se delegacioni ukrainas do të përsërisë kërkesat e tij gjatë bisedimeve që do të zhvillohen nëpërmjet videokonferencës.
"Pozicionet tona nuk kanë ndryshuar", tha zoti Podolyak. "Ato janë: paqe, armëpushim i menjëhershëm, tërheqje e të gjitha forcave ruse. Vetëm atëherë do të mund të flasim për marrëdhënie fqinjësie dhe një zgjidhje politike".
Uashingtoni ka refuzuar kërkesat e Kievit për një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën, dhe gjithashtu refuzoi edhe një propozim të Polonisë për të dërguar avionë të prodhimit rus në një bazë amerikane në Gjermani, për t'i dërguar në vazhdim në Ukrainë. Të shtunën, Presidenti Joe Biden autorizoi deri në 200 milionë dollarë asistencë amerikane që do të jepet në formën e përgatitjes ushtarake dhe trajnimit për ushtrinë ukrainase.
Katër senatorë amerikanë vizituan Poloninë gjatë fundjavës për të biseduar me refugjatët ukrainas. Senatorja demokrate Amy Klobuchar tha se Kongresi po shqyrton mënyra të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.
Ndërkaq, presidenti ukrainas do të mbajë për ligjvënësit amerikanë një fjalim virtual në Kongres të mërkurën. Fjalimi do të transmetohet drejtpërsëdrejti edhe për publikun e gjerë. Gjatë një aktiviteti në Nju Jork, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se "është një privilegj të kemi udhëheqësin e këtij vendi, e këtij populli që po lufton për demokracinë e tyre dhe për demokracinë tonë".
Zelensky tha gjatë një fjalimi të orëve të natës se e diela ishte një "ditë e zezë" për vendin, për shkak të sulmit vdekjeprurës ndaj bazës ushtarake. Ai tha se i kishte paralajmëruar qartë udhëheqësit perëndimorë për gjasat se mund të sulmohej baza ku trajnoheshin njësi të NATO-s së bashku me forcat ukrainase.
"Kjo nuk vjen si suprizë për shërbimet amerikane të zbulimit dhe për komunitetin e sigurisë kombëtare", tha këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, gjatë një emisioni të kanalit CNN. "Kjo tregon se Vladimir Putini është i irrituar prej faktit se forcat e tij nuk po arrijnë progresin që ai kishte menduar se do të arrinin".