Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se ka besim se udhëheqësi rus Vladimir Putin do ta “mbajë fjalën” nëse arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump i bëri këto komente gjatë një shkëmbimi me gazetarët në fillim të takimit të tij me kryeministrin britanik Keir Starmer në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan tha se bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për një marrëveshje paqeje "kanë përparuar mirë" dhe vlerësoi Rusinë për qëndrimin e saj në bisedime.
"Mendoj se Rusia ka vepruar shumë mirë... Mendoj se kemi përparuar shumë mirë në lidhje me marrëveshjen, por nuk kemi arritur ende një marrëveshje", tha Trump.
Kur u pyet nëse mund t'i besohej Putin, Presidenti Trump u përgjigj: "Beso e verifiko".
Ndërsa kryeministri britanik, Starmer tha se vizita ka qenë "shumë e mirë dhe produktive" dhe theksoi se "është mirë të dihet se Mbretëria e Bashkuar ka një mik të vërtetë në Zyrën Ovale".
Duke iu kthyer "rrezikut real në botë", Starmer thotë se marrëdhënia midis dy vendeve ka më shumë rëndësi se kurrë.
"Ne mbetemi partneri i parë i njëri-tjetrit në mbrojtje, të gatshëm për t'i ardhur në ndihmë tjetrit, për t'iu kundërvënë kërcënimeve kudo dhe kurdo që ato shfaqen," shton ai.
Sa i përket Ukrainës, Starmer thotë se ai mirëpret angazhimin "e thellë dhe personal" të Trump për të sjellë paqe dhe për të ndaluar vrasjet.
"Ju keni krijuar një moment të mundësisë së jashtëzakonshme për të arritur një marrëveshje historike paqeje, një marrëveshje që do të festohej në Ukrainë dhe në mbarë botën," tha ai.
Starmer thotë se Mbretëria e Bashkuar është gati të vendosë ‘çizmet’ në tokë dhe aeroplanët në ajër për të mbështetur një marrëveshje për Ukrainën, të realizuar bashkë me aleatët.
"Kjo është e vetmja mënyrë që paqja do të zgjasë," shtoi ai.
Ai gjithashtu zbuloi se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kanë vendosur "të shkojnë më tej për të filluar punën për një marrëveshje të re ekonomike me teknologjinë e përparuar në thelbin e saj".
"Çfarë theksi i bukur", tha Trump, ndërsa Starmer po përfundonte fjalimin e tij. “Do të kisha qenë president 20 vjet më parë nëse do të kisha atë theks”, shtoi ai.
Kryeministri Starmer po viziton Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të bindur Presidentin Trump se një paqe e qëndrueshme në Ukrainë është e mundur vetëm nëse Kievi dhe udhëheqësit evropianë janë në tryezën e bisedimeve me Moskën.
Starmer u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë një garanci sigurie për çdo forcë evropiane që mund të marrë pjesë në një rol të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë në përfundim të bisedimeve të paqes, për të cilat ka bërë thirrje zoti Trump që kur mori detyrën muajin e kaluar.
Presidenti Trump tha se nuk do të flasë për detajet e një force paqeruajtëse, pa u arritur një marrëveshje.
Kryeministri britanik falënderoi Presidentin Trump që i hapi rrugë "mundësisë për një marrëveshje paqeje".
Vizita e tij, që vjen disa ditë pas vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron, pasqyron shqetësimin në rritje në Evropë se përpjekja e Trump për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë sa më shpejt, sinjalizon gatishmërinë e tij për t'i bërë lëshime Presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje me zotin Trump për mineralet kritike të Ukrainës. Presidenti Trump tha se kjo marrëveshje do të ishte një garanci sigurie për Ukrainën.