
Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të hënën në Nju Jork, përpara dorëzimit të tij tek autoritetet dhe paraqitjes para një gjykatësi, ku do t’i lexohen akuzat penale të ngritura ndaj tij nga një juri e madhe. Deri tani nuk dihet se për çfarë akuzash rëndojnë ndaj Trump.
Ndërkohë qyteti më i madh i vendit është përfshirë nga masa të forta sigurie dhe autoritetet paralajmëruan të gjithë ata që synojnë të shkaktojnë shqetësime se "Nju Jorku nuk është një arenë për të shfryrë zemërimin e tyre”.
Trump dhe mbështetësit e tij kanë kritikuar hetimet si dhe padinë penale të ngritur kundër tij, që rrjedh nga një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, bërë në ditët e fundit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Kthimi i tij në këtë qytet, hap një kapitull të paprecedentë në historinë amerikane. Zoti Trump është ish-presidenti i parë që përballet me akuza penale ndërsa ai ndodhet në mesin e një fushate të tretë për Shtëpinë e Bardhë.
Gjykatësi Juan Merchan ka ndaluar përdorimin e pajisjeve dixhitale në sallën e gjyqit për seancën dëgjimore të Donald Trump, por do të lejojë disa fotografë përpara se të fillojë gjyqi.
Gjykatësi tha se celularët dhe laptopët nuk mund të përdoren në sallën e gjyqit gjatë seancës së ish-presidentit amerikan.
Kamerat do të lejohen në korridor përpara se të fillojë gjyqi, tha gjykatësi Merchan.
Urdhri vjen pasi ekipi ligjor i zotit Trump i kërkoi gjykatësit Merchan të refuzonte një kërkesë nga organizatat e medias për të lejuar aksesin e tyre gjatë seancës.